Shqipëria, ende pa asnjë plan vaksinimi
OBSH: Deri në fund të gushtit duhet të mbyllet faza e parë e imunizimit
Personeli shëndetësor, punonjësit e laboratorëve shëndetësorë, punonjësit e shëndetit publik, të pikave kufitare, porteve, aeroporteve duhet të jenë të parët që duhet të bëjnë vaksinën dhe të marrin masa për të qenë gati për pandeminë e gripit të derrave. Sipas përfaqësuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri tani jemi ballafaquar me një periudhë të lehtë të gripit, ndërkohë që pritet "më e keqja" me nisjen e vjeshtës.
Ministria e Shëndetësisë ka dërguar kërkesat për të blerë vaksina për gripin e derrave, sasi të tamiflusë, si edhe stoqe të vaksinës së thjeshtë të gripit, por deri tani asgjë s‘ka mbërritur dhe strukturat shëndetësore janë në pritje.
Deri në kohën e furnizimit as personeli shëndetësor dhe as punonjësit e pikave kufitare nuk do të mund të mbyllin fazën e vaksinimit deri më 31 gusht, duke zbatuar kështu direktivat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Vaksinimi
Sugjerimi më i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është nisja e fazës së parë të vaksinimit para mbylljes së muajit gusht. "Nuk mund të themi se më e keqja kaloi apo se është duke ardhur. Duhet të përgatitemi për një valë të dytë, madje edhe për një të tretë të gripit, siç kemi parë gjatë pandemive të mëparshme", deklaroi drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan. Ashtu si për Shqipërinë, edhe për vendet e tjera, sipas sqarimit të zyrtarëve të OBSH-së, përfaqësuesit janë në bisedime dhe negociata me qeveritë e fondacionet ndërkombëtare. Kjo, në mënyrë që ata të japin ndihmë për vendet në nevojë, për t‘i bërë ballë kështu në mënyrë sa më efikase gripit të derrave AH1N1.
Vaksinimi
Faza e parë e të vaksinuarve duhet të mbyllet deri në muajin gusht, ndërkohë që vaksinat e tjera, qoftë edhe ato të gripit të thjeshtë, nuk dihet ende se kur do të mbërrijnë në Shqipëri. Sipas të dhënave paraprake të bëra të njohura edhe nga mediat e huaja, tregjet ndërkombëtare të farmaceutikës pothuajse i kanë zbrazur depot dhe furnizimi i Shqipërisë varet pikërisht nga vendet e zhvilluara. Deri tani, as Ministria e Shëndetësisë dhe as Instituti i Shëndetit Publik nuk kanë dhënë afate se kur do të mbërrijë ekzaktësisht vaksina.
Ministria e Shëndetësisë pritet të nxjerrë një urdhër, të cilin do e dërgojë për dijeni në institucionet e saj të varësisë, për të deleguar kompetenca lidhur me pajisjen e vaksinave për këta sektorë. Kjo për të pasur situatën në kontroll para nisjes së sezonit të gripit. Ndërkohë që pjesës tjetër të popullsisë do t‘i duhet ta sigurojë atë privatisht. Fëmijët, të moshuarit, pacientët kronikë, personat me imunitet të dobët dhe ajo pjesë e popullsisë që është e detyruar të udhëtojë jashtë, duhet ta marrin vaksinën, pasi quhen kategori më pranë virozëve.
Burimi Informativ: SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!