Urdhri i Mjekut: "Shëndetësia është në kolaps dhe jo funksionale"
President i UMSH, Abazi, theksoi se ndaj sistemit shëndetësor kanë humbur besimin pacientët dhe mjekët. Nëse nuk rregullohet, është dështim i qeverisë
Sistemi shëndetësor është në kaos dhe jofunksional. Madje, ndaj këtij sistemi ka humbur besimi i pacientëve dhe i vetë bluzave të bardha. Kështu u shpreh dje Presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Dine Abazi, i cili theksoi se sistemi do të përmirësohet vetëm nëse qeveria e sheh si prioritet.
Ndërsa drejtori i Qendrës Kombëtare të Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, Isuf Kalo, theksoi dje në konferencën e 4-të progresin dhe sfidat e reja në përmirësimin e cilësisë në shëndetësinë shqiptare.
Kritika - Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazi, kritikon sistemin shëndetësor, duke e konsideruar jo funksional. Sipas tij, sistemi është në kolaps për sa kohë pacientët dhe mjekët shprehin pakënaqësi për shërbimin, mungesën e ilaçeve, ryshfetin dhe pagat e ulëta.
"Sistemi është në krizë, pasi nuk gjenden barnat, nuk gjendet gama e duhur e aparaturave. Kur shkon në poliklinikë mungon laboratori, kur shkon në spital pacienti duhet të marrë me vete çarçafët, nuk gjejnë ushqimet e duhura, nuk gjejnë ujin e ngrohtë për të mos harruar edhe banjat, të cilat thuajse nuk funksionojnë", theksoi Abazi.
Fajtorët - Presidenti i Urdhrit të Mjekut fajëson qeverisjen për mangësitë e sistemit shëndetësor, pasi me 3 % të GDP fonde në këtë sektor nuk mund të ndërtohet asgjë. Sipas tij, probleme të sistemit shëndetësor janë buxheti, mungesa e organizimit dhe mungesa e theksuar e drejtuesve në sektorin shëndetësor. "Rregullimi i sistemit bëhet kur qeveria e ka shëndetësinë prioritetin kryesor.
Nëse nuk e ka këtë prioritet unë mendoj se mosrregullimi i sistemit është dështim i qeverisë", - theksoi Abazi. Në deklaratat e tij, kreu i Urdhrit të Mjekut i referohet denoncimeve të shumta të qytetarëve që i drejtohen Urdhrit të Mjekut për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Ai shprehet në favor të reformave të thella, por të mbështetura me buxhetin e duhur.
Nëpunësit e Bashkisë: Do të vazhdojmë protestat për lirinë tonë
Nëpunësit civilë dhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës, kërkojnë vëmendjen e opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar, mbi dhunën arbitrare të ushtruar mbi ta, gjatë protestës paqësore të zhvilluar më datë 5 dhjetor.
Me anë të një deklarate për shtyp, ata theksojnë se u trajtuam nga Policia e Shtetit si një grup vandalësh e anarkistësh, duke iu shkelur liria dhe e drejta qytetare për të protestuar në mënyrë paqësore, në mbrojtje të të drejtave tona, të përcaktuara qartë prej Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
"Bashkia e Tiranës është institucion i popullit të Tiranës, i qytetareve dhe qytetarëve të tij, ndaj ne protestojmë në emër të çdo të moshuari dhe fëmije, gruaje dhe burri, në emër të djemve dhe vajzave që kanë të drejtë të jetojnë në një metropol evropian dhe jo në një qytet pa liri, ku policia e Shtetit, e cila paguhet nga taksapaguesit, tashmë e kthyer në një vegël të qeverisë, ushtron mbi ne dhunën më të paturpshme», bëhet e ditur nga nëpunësit civilë dhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës, duke u shtuar se do të vazhdojmë të protestojmë për të drejtat e pushtetit vendor, për lirinë e tyre si qytetarë të ndershëm të këtij vendi, ndaj i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të distancohet nga politika, dhuna dhe përdorimi i hapur që i bëhet asaj nga qeveria antidemokratike.
Burimi Informativ: SHEKULLI























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!