Agjencitë e huaja: Zgjedhjet shqiptare, testi për në BE
Parashikohet një garë me rezultat të ngushtë
Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit 2009 në Shqipëri kanë gjetur një pasqyrim të gjerë në median ndërkombëtare. Agjencitë e huaja, si dhe televizionet me reputacion, kanë komentuar dje procesin elektoral që u zhvillua në vendin tonë për të zgjedhur 140 deputetë në Parlament, por mbi të gjitha për të përcaktuar se cila do të jetë forca që do të fitojë pushtetin për katër vitet e ardhshme.
Thuajse në akord agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë pasur si kryefjalë të tyren faktin që këto zgjedhje parlamentare konsiderohen si një test mjaft i rëndësishëm për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ndërsa nuk kanë lënë pa përmendur se gara elektorale e këtij viti mendohet që do të ketë një rezultat të ngushtë mes dy forcave kryesore politike në garë, Partisë Demokratike, si dhe Partisë Socialiste.
E mirënjohura britanike BBC thekson në artikullin e përgatitur me këtë rast, se "shqiptarët votuan në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat shihen si një test për kredencialet demokratike të vendit". Sipas tyre, sondazhet kanë parashikuar një garë të ngushtë mes Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, dhe rivalit të tij socialist, Edi Rama, të cilët që të dy së bashku kanë premtuar zhvillim ekonomik dhe se do ta çojnë Shqipërinë në BE. BBC ka nënvizuar faktin se janë me qindra vëzhguesit ndërkombëtarë që kanë monitoruar votën për të shmangur problemet e vëna re në zgjedhjet e mëparshme.
Edhe agjencia italiane e lajmeve, ANSA, në lajmin e saj për procesin elektoral në Shqipëri, shkruan se: zgjedhjet legjislative për 140 anëtarët e Parlamentit të ri "të hedhur" në garë nga Partia Demokratike e Kryeministrit aktual, Sali Berisha, dhe të liderit socialist, kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, janë konsideruar si një bankë provash për pjekurinë demokratike të Shqipërisë.
"Euronews" e ka përcaktuar garën elektorale si një përballje mes dy figurave kryesore politike në vend. "Berisha dhe Rama ballë përballë" është titulli i madh i "Euronews". "Të dyja partitë më të mëdha pjesëmarrëse në zgjedhje kanë premtuar një të ardhme më të mirë për të tre milionë votuesit. Ish-presidenti dhe Kryeministri aktual, Sali Berisha, po kërkon që të mbajë pushtetin edhe për një mandat tjetër, por ai përballet me një sfidë të fortë nga socialistët", thuhet në artikullin e përgatitur nga "Euronews". Aty theksohet edhe premtimi i palëve për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërsa pohohet fakti se kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, i ka dhënë Partisë Socialiste një imazh më rinor. Ai ka premtuar ndryshimin, por sikundër thuhet në këtë artikull, shumë i tremben kësaj vote, se ashtu sikundër të gjitha zgjedhjet pas 1996, do të manipulohen.
Zgjedhjet shqiptare janë ndjekur me shumë vëmendje edhe nga mediat greke, të cilat nuk kanë munguar që të paraqesin edhe mbështetjen e ofruar nga Papandreu për Partinë Socialiste.
Burimi informativ / Gazeta SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!