Shitja e "ARMO"-s, një prokurore amerikane, "blindon" grupin e hetimit
Cindy Eldrigde, po ndihmon Task-Forcën për verifikimin e firmës amerikane që u bashkua me "Taçi Oil"
Hetimet për privatizimin e kompanisë të përpunimit dhe tregtimit të naftës, ARMO, po ndihmohen edhe nga prokurorja e SHBA-së, Cindy Eldrigde, e cila ka ofruar asistencë dhe përvojë për çështje korrupsioni dhe krime financiare. Burime nga njësia e përbashkët hetimore, Task-Forcë, thanë se prokurorja federale po ndihmon hetuesit e çështjes me disa procedura që janë përdorur për privatizimin e kompanisë, nga verifikimi i ofertave e deri te sjellja në Shqipëri e milionave USD që janë përdorur për privatizimin e ARMO-s nga kooperimi i firmave të biznesmenit Rezart Taçi me një kompani amerikane. Duke qenë se në "lojë" ka qenë edhe një firmë amerikane, prokurorja Eldrigde ka krijuar disa lehtësira për hetuesit shqiptarë që të marrin informacione të drejtpërdrejta nga SHBA-ja. Burime zyrtare nga Task-Forca në Prokurorinë e Tiranës thanë se ndihma prokurores është këshilluese, pasi ajo nuk ka përfshirje në hetimin apo ndjekjen penale faktike të ndonjë çështjeje.
Megjithatë, hetuesit e çështjes deklarojnë se Eldridge punon ngushtë me prokurorët, duke ofruar këshilla dhe ekspertizë mbi hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimeve financiare, duke përfshirë edhe hetimin e çështjes së privatizimit të kompanisë ARMO. Duket se përvoja e mëparshme e prokurores federale që kishte të bënte me hetime të pastrimit të parave, hetime të mashtrimeve me hipotekimin, ndjekjen penale të bankave, si dhe ndjekjen penale të një numri avokatësh për rolin e tyre në skema të mëdha mashtrimi, u ka shërbyer hetuesve shqiptarë për të mësuar rreth krimit ekonomik dhe të arrijnë të futen më thellë në hetime, duke zbuluar prejardhjen e parave që janë përdorur për blerjen e ARMO-s, të cilat kanë mbërritur në Shqipëri nga Azerbajxhani dhe Zvicra. Në disa seminare të zhvilluara në prokurori, disa hetues amerikanë u kanë mësuar homologëve të tyre shqiptarë se në hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe të krimit ekonomik, se të ndjekësh gjurmët e parasë është kyçi i zgjidhjes së krimit. Dhe pikërisht të njëjtën gjë kanë realizuar hetuesit e çështjes me hetimin në fjalë, ku kanë arritur që të kapin transfertat miliona USD nga vendet e Lindjes drejt Shqipërisë. Mësohet se transfertat janë realizuar nga bankat më prestigjioze në Azerbajxhan, çka e vështirëson hetimin, pasi në to janë të përcaktuara prejardhja dhe destinacioni i këtyre vlerave monetare. Hetuesit e çështjes po diskutojnë mundësinë që drejt Azerbajxhanit dhe Zvicrës të dërgojnë letër-porosi, me qëllim që të marrin më shumë informacion për prejardhjen e parave që është blerë ARMO. Duket se çështja po devijon për "pastrim parash", pasi ende hetuesit nuk kanë saktësuar prejardhjen e parave që u ble kompania e përpunimit dhe tregtimit të naftës.
Hetimi për privatizimin ka nisur në fund të korrikut të vitit 2008 dhe është përqendruar në verifikimin e të gjitha procedurave të shitjes kundrejt vlerës së 125 milionë dollarëve amerikanë. Sipas burimeve zyrtare nga Task-Forca, me shpalljen e fituesit të blerjes së 85% të aksioneve shtetërore në kompaninë ARMO, kompania që u rendit e dyta në shpalljen e fituesve ka bërë një kallëzim në prokurori, nën akuzën e "pabarazisë në tendera", duke denoncuar mënyrën e përzgjedhjes së firmës fituese, procedurat e ndjekura nga kompania fituese, si dhe favorizimin që i kanë bërë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kompanisë fituese. Prokuroria ka filluar verifikimet dhe hetimet paraprake, duke regjistruar edhe procedimin penal pa emër të personit të dyshuar. Më pas janë kryer një sërë procedurash hetimore duke sekuestruar edhe një sërë dokumentesh në cilësinë e provave materiale, si dhe janë shqyrtuar procedurat e garës, shpallja e fituesit, negocimi i kontratës, pagesa, transferimi i pronës etj. Janë pyetur persona të ndryshëm, si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, përfaqësues të kompanive fituese dhe humbëse e shumë verifikime të tjera bankare. Megjithatë, ende prokuroria nuk ka arritur në një konkluzion.
Burimi informativ / SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!