Apolonia, mbijetesa fillon nga Teuta
Fierakët shënojnë nga një gol për çdo pjesë, duke besuar se tashmë do të qëndrojnë në superligë
Apolonia - Teuta 2-0
Shënues: Sead Haxhibuliç 34′, Dhrami 62′
Apolonia: Haxho, Elmazi, Shoshi, Ferizoviç, Kelmendi, Hoti, Semir Haxhibuliç (Çerçizi 77′), Meto (Dhrami 35′), Sreçkoviç, Bërkiç, Sead Haxhibuliç (Asllani 67′). Trajner: E.Karishik.
Teuta: Vashaku, Dushku, Sheta, Jakupi, Imeraj (Kote 58′) Stafa, Ahmeti, Buna (Dosti 66′), Vila, Mile (Xhemali 77′), Hysa. Trajner: S.Starova.
Gjyqtarë: A.Janku, D.Rexha, D.Agaraj (Tiranë)
Karton i verdhë: Stafa
“Radiografia”
6′- Kombinim i shkurtër i Bërkiçit për Sead Haxhibuliçin dhe gjuajtja e këtij të fundit kalon ngjitur me shtyllën e majtë.
10′- Ferizoviç ka goditur bukur me kokë, por portieri Vashaku është ndodhur në pozicionin e duhur.
13′- Eshtë radha e kapitenit Agim Meto që ka krosuar nga e djathta dhe Sreçkoviç ka goditur me kokë, një top që shkon mbi shtyllën traversale të miqve.
16′- Semir Haxhibuliç provon nga një distancë e largët dhe e detyron Vashakun të bëjë një grushtim të vështirë.
23′- Hoti ka provuar me një gjuajtje ballore nga rreth 30 metra, por është treguar i sigurt në ndërhyrjen e tij Vashaku.
26′- Imeraj i rrëmben një top Metos në mesfushë dhe lëshon një goditje me të prerë drejt portës, duke e kaluar topin ngjitur me trekëndëshin e djathtë të Haxhos.
32′- Hysa ka ulur një top me kokë për Vilën, por gjuajtja e këtij të fundit përfundon jashtë.
34′- Sead Haxhibuliç ka zotëruar mjeshtërisht me gjoks, i është shmangur një mbrojtësi dhe ka gjuajtur fort me të majtën e tij, duke e përcjellë topin në rrjetë. 1-0 për Apoloninë.
37′- Durrsakët përpiqen të reagojnë. Hysa gjuan fort tokazi dhe Haxho ka pritur me vështirësi.
41′- Ka qenë Vila këtë herë që ka vënë edhe një herë tjetër në provë portierin fierak.
48′- Mile gjuan nga rreth 25 metra, një top që shoqërohet me sy nga portieri Haxho dhe përfundon jashtë.
61′- Një ekzekutim perfekt i Arbër Dhramit. Vlonjati shmang me një lëvizje të shkëlqyer Koten dhe lëshon një goditje shkatërruese drejt portës, atje ku Vashaku e ka të pamundur për ta ndalur. 2-0 për Apoloninë.
64′- Ferizoviç ka tronditur Vashakun me gjuajtjen e tij.
74′- Mile është shfaqur për një moment i vetëm me portierin Haxho, por ka ndërhyrë Ferizoviç nga mbrapa.
80′- Një tjetër provë e skuadrës së Teutës nga distanca. Provon Hysa, por pa sjellë asnjë rezultat për të tijtë.
Komenti
Apolonia ka bërë një hap të sigurt drejt mbijetesës, duke siguruar një fitore të bukur dhe bindëse ndaj Teutës. Skuadra fierake ka qenë dominante gjatë gjithë ndeshjes dhe është treguar zotëruese në të gjithë fushën, në të gjithë komponentët e lojës. Ka qenë një fitore që është mundësuar përmes lojës së bukur që fierakët kanë zhvilluar në fushë. Dhe kjo arritje ka më tepër vlera, kur kundërshtari i radhës mban një emër si Teuta, një skuadër që meriton respekt për mënyrën se si po luan në kampionat, duke mos toleruar e duke mos rënë pre e lëshimeve. Kronika e ndeshjes flet për një fillim të vrullshëm të skuadrës vendëse, e cila ka dashur të shkojë shpejt te goli. Trajneri Karishik ka bërë ndryshime në pozicionimin e futbollistëve në fushë. Elmazi ka luajtur në krahun e majtë të mbrojtjes, Kelmendi në krahun e djathtë, ndërsa Shoshi e Ferizoviç, si gjithmonë në qendër. Ndërkohë, krahas Brkiçit dhe Sead Haxhibuliçit, në krahun e majtë të sulmit është parë Aleksandër Sreçkoviç, një futbollist që mund të luajë në çdo pozicion të nevojshëm për skuadrën. Fierakët kanë krijuar disa raste të mira, por vetëm në minutën e 34-t skuadra do të çlirohej tërësisht nga presioni i golit dhe do të kalonte në avantazh. Ka qenë Sead Haxhibuliç ai që ka nxjerrë nga arsenali i tij një zotërim perfekt të topit me gjoks dhe ka shënuar golin e parë pas një goditjeje të pamëshirshme. Pas daljes nga fusha të kapitenit Meto, Karishik ka ndryshuar vendosjen e futbollistëve në fushë. Elmazi spostohet në krahun e majtë të mbrojtjes, Kelmendi avancon në mesfushë, ndërsa Sreçkoviç është tërhequr në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në sulm, krahas Brkiçit dhe Haxhibuliçit, tashmë vepron edhe Dhrami. Kësisoj, me tre futbollsitë sulmues të mirëfilltë, forca sulmuese e skuadrës fierake rritet në mënyrë të ndjeshme dhe epërsia është e dukshme. Gjithsesi, pjesa e parë do të mbyllet me golin e Haxhibuliçit. Fillimi i pjesës së dytë është më i mirë për durrsakët, të cilët janë zotërues të fushës deri në minutën e 60-të, por pa pasur ndonjë rast fort të volitshëm për të barazuar rezultatin. Vetëm kaq për Teutën, sepse do të mbërrijmë në minutën e 62-të, kur sulmuesi Dhrami ka shënuar një gol tjetër të bukur për nga mënyra e ekzekutimit, duke vulosur shifrat 2-0 dhe duke i dhënë qetësinë e duhur skuadrës së tij. Pas kësaj, Apolonia është krejt e qetë në lojë e vet dhe e ka situatën në dorë. Luan pa sforco dhe e mban larg skuadrën durrsake nga zona e portierit Haxho, duke e ruajtur deri në fund të takimit të pastër fitoren, që e ka nxjerrë Apoloninë në të tjera pozicione dhe skuadra nuk ndihet më si një javë më parë, duke përfituar edhe nga rezultatet që kanë dhuruar ndeshjet në Vlorë dhe në Lushnjë. Fierakët kanë kaluar një nga tri ndeshjet të ashtuquatjura “finale” në emër të luftës për mbijetesë dhe kjo është tepër pozitive për skuadrën e trajnerit Karishik. Ngjitja tashmë ka filluar dhe për fierakët nuk ka më kthim pas.
Deklarojnë…
Esad Karishik, trajner i Apolonisë: “Ka qenë një takim shumë i rëndësishëm, ku nuk do të kishte asnjë vlerë një tjetër rezultat. Fillimisht ka qenë një lojë e ekuilibruar, pasi ka qenë një presion i madh psikologjik, por pas golit, çdo gjë erdhi në pozicionin e vet. Kemi fituar ndaj një ekipi mjaft të mirë si Teuta, e cila di të luajë bukur, e pranon me vështirësi golin. Ka një trajner të mirë dhe futbollistë shumë të mirë. Prandaj na u desh shumë punë që të dilnim te fitorja. Loja jonë ka qenë sulmuese, sepse e tillë Ishte ndeshja jonë, për “jetë a vdekje”. I uroj lojtarët dhe këtë fitore ua dedikoj tifozëve tanë, që kanë qenë gjithmonë pranë nesh dhe na kanë mbështetur. Kjo është vetëm një pjesë e vogël që ne bëjmë për ta, pasi dhurata më e bukur jona do të jetë qëndrimi në superligë.”
Sulejman Starova, trajner i Teutës: “Nuk mund të them se ka qenë një Teutë e pamotivuar. Fjala më e drejtë është që Apolonia ka luajtur më e motivuar. U zhvillua një ndeshje e bukur, por shpirti i garës ishte më i lartë te skuadra fierake, e cila luajti më mirë dhe e meritoi fitoren. Përgjithësisht, loja ishte e nivelit të kënaqshëm. Apolonia pati dhe raste të tjera përpara shënimit të golit. Ne e përmirësuam lojën në ndarjen e dytë të pjesës së parë, megjithatë goli na goditi dhe ata ditën ta kthenin situatën në favorin e tyre. E uroj Apoloninë për fitoren e arritur.”
Të veçanta
- Mbi 5000 tifozë të pranishëm në stadiumin “Loni Papuçiu”, të cilët kanë festuar gjatë gjithë takimit, duke shijuar dhe lojën e bukur e rezultative të Apolonisë.
- Të pranishëm në tribunën “VIP” kanë qenë edhe presidenti i nderit te skuadra e Apolonisë, Koço Kokëdhima, presidenti Endri Puka, si dhe përfaqësues të Bashkisë së Fierit.
Burimi informativ / Sporti Shqiptar























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!