Karishik: Nuk më trembin objektivat ambiciozë
Apolonia do të fillojë përgatitjet më 1 korrik, ku ndoshta do të vijnë edhe lojtarët e parë
Për një Apoloni që nuk do të ketë ndarje në objektiva më minimale, por që do të punohet për të qenë një skuadër në mes katër vendeve të para. Ruajtja e futbollistëve, sidomos atyre cilësorë, krijimi i një grupi me kualitetin që ka në përbërje, duke i shtuar dhe futbollistët që kanë në projektet e veta drejtuesi e klubit, do të bëjnë që të krijohet ai formacion dhe ai format që e presin të gjithë sportdashësit fierakë.
Një nga goditjet më të suksesshme të Apolonisë mund të quhet me gojën plot rikonfirmimi i trajnerit Karishik, për të cilin mund të thuhet se e ka nisur punën e vet qysh në sezonin e kaluar, pasi jo vetëm që mbajti skuadrën në superligë, por krijoi njohjen aq të domosdoshme të lojtarëve dhe mentalitetit të ekipit. Kjo ka qenë një pikënisje e suksesshme dhe Karishik u adaptua me sukses brenda asaj psikologjie të skuadrës, duke i dhënë pak e nga pak profilizimin e duhur.
Dhe tani, ende pa startuar as përgatitjet për sezonin e ri, po flitet për synime më të larta dhe kjo gjë mund të quhet një prolog i mirë për Apoloninë, pasi të gjithë faktorët i kanë mbushur mendjen vetes se kjo skuadër bind dhe mund t’i arrijë ato stade që synohen. Dhe të mendosh që nuk janë bërë as blerjet e futbollistëve të tjerë, të cilat me të patjetër do të jenë në nivelet e larta të cilësisë, në përputhje dhe me synimet e skuadrës.
Kryepankina fierake, për aq sa ka qenë në krye të Apolonisë, ka spikatur për temperamentin e veçantë dhe grintën me të cilën e ka shtyrë skuadrën drejt suksesit të sezonit tjetër të superligës. “Nuk u jam trembur kurrë objektivave ambiciozë, por normalisht që kjo duhet të përputhet edhe me futbollistët që do të kemi në dispozicion. Kam qenë këmbëngulës që grupi i lojtarëve duhej të rritej dhe të përmirësohej, për arsyen e vetme se nuk duhej qëndruar më në objektivat e kampionatit të kaluar. Unë nuk dua të justifikohem për sezonin e kaluar, duke thënë se e gjeta skuadrën të ngritur dhe se merkatoja e dimrit të ofron mundësi minimale në gjetjen e lojtarëve të duhur, por kjo është e vërteta.
Këtë sezon ne do të punojmë për objektivat të cilat janë bërë të ditura dhe të njohura nga të gjithë dhe unë e besoj suksesin e Apolonisë, sepse më jep bindje dhe përkushtimi e serioziteti i drejtuesve të klubit, të cilët janë të gatshëm të investojnë për një skuadër shumë më cilësore,” - thotë Karishik. Pas tregut ballkanas, që duket më i lehtë për të gjetur futbollistë për Apoloninë, po punohet fuqishën edhe në kampionatin shqiptar. Më 1 korrik do të nisë rrugëtimin e vet dhe Apolonia e sezonit të ri, duke filluar të shuajë pak nga pak dhe shumë kërshëri të lindura gjatë kësaj kohe pushimi.
Puka: Formula me 12 ekipe, pozitive
Teksa akoma nuk është bërë e qartë se cila do të jetë struktura e kampionatit të ardhshëm, vazhdojnë të hidhen mendime dhe të rrihen diskutime rreth strukturës aktuale. Edhe presidenti i Apolonisë, Endri Puka, ka firmosur për ndryshimin e strukturës, por njëherësh ai shprehet edhe për strukturën e kampionatit aktual, teksa thekson: “Për sa u përket mangësive të skemës, nuk duhet të jemi hipokritë dhe të themi se kjo skemë nuk është e mirë, pasi skema me 12 ekipe, ku 4 skuadra bien apo 4 të tjera luftojnë për kupat europiane është një skemë shumë pozitive, që lë pak hapësira për abuzime, pasi deri në fund të kampionatit, shumica e skuadrave e ndajnë rrugën e tyre. Pra, si skemë, unë them se është shumë e mirë dhe kompetitive, pavarësisht vendimeve që mund të merren.”
Burimi informativ / Sporti Shqiptar























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!