Të tjerë serbë për ekipin e Apolonisë
Kenan Ragipoviç dhe Pedrag Iliç priten të vijnë, ndërsa edhe ndihmësi në stol është serb
Situata zgjedhore që ka përfshirë të gjithë vendin, nuk e ka penguar skuadrën fierake të Apolonisë të niste stërvitjen, duke realizuar prezantimin e parë të saj. Nën interesimin e shumë sportdashësve dhe dashamirësve të sportit, skuadra ka kryer grumbullimim e parë të saj, edhe pse kontigjenti i futbollistëve aktualë të Apolonisë nuk ka qenë i plotë. Duhet theksuar se të gjithë lojtarët që ndodhen ende nën kontratë me skuadrën kanë qenë të pranishëm.
Vetëm futbollistët serbë kanë munguar, por ata priten të jenë më të shumtë në numër këtë sezon, ose të paktën aq sa edicionin e kaluar, po të llogarisim largimin e Mirçetës dhe një largim të mundshëm të mbrojtësit Sreçkoviç. Krahas lojtarëve që e kanë mbyllur kampionatin e kaluar me Apoloninë, nga Serbia pritet që të udhëtojnë drejt Fierit edhe dy të tjerë: mesfushori Kenan Ragipoviç, 27 vjeç dhe sulmuesi 29-vjeçar Pedrag Iliç. Të dy këta futbollistë janë orientim dhe zgjedhje e bërë nga vetë trajneri Karishik, i cili e njeh mjaft mirë futbollin serb. Kështu, sulmi fierak duket se do të jetë i tëri i huaj dhe pretendohet që edhe Iliç është një goleador i lindur, duke shtuar forcën “vrasëse” tek Apolonia, pasi tashmë njihen mirë vlerat e dy sulmuesve të tjerë, Bërkiç dhe Sead Haxhibuliç. Duket se çdo gjë shkon sipas filozofisë së trajnerit Karishik, i cili është një partizan i vendosur i lojës sulmuese.
Por surprizat nuk sosin me kaq. Një tjetër serb i është bashkuar skuadrës fierake, veçse këtë herë nuk do të jetë në fushë, por në pankinë. Edhe ndihmësi i parë i kryepankinës fierake, Karishik, këtë sezon do të jetë një serb, konkretisht trajneri Renar Kolasimoviç, i cili është një njohje e vjetër për trajnerin boshnjak, pasi kanë trajnuar më parë së bashku për 4 vjet. Dhe, për të përfunduar me merkaton, duhet thënë se Apolonia vetëm sa ka filluar, pasi skuadra ka nevoja të shumta për futbollistë të tjerë deri në formatimin e plotë të grupit të duhur.
Kështu, nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe investigimi në kampionatin shqiptar, nga i cili, sipas burimeve nga brenda klubit, pritet që më së shumti ditën e hënë të bëjnë prezantimin edhe tre futbollistë. Dhe sërish fierakët do të jenë në kërkim, pasi akoma nuk është siguruar shërbimi i një portieri dhe i një mbrojtësi të krahut të majtë. Gjithsesi, trajneri Karishik e ka nisur sfidën e tij të re me një optimizëm që është karakteristikë për këtë trajner dhe ai ka besim se ky sezon nuk do të jetë zhgënjyes për Apoloninë.
“Kur të kemi skuadrën e plotë, atëherë do t’ju flas edhe me më tepër siguri, edhe pse sinjalet pozitive janë të dukshme. Po insistojmë në plotësimin e skuadrës me futbollistë cilësorë dhe jam optimist në këtë drejtim. Shumë shpejt ju do të kini mundësi të shihni dhe emrat e rinj që do të jenë kualitetet e duhura për Apoloninë e këtij kampionati,” ‑ është shprehur trajneri Karishik.
Skeda e Kenan RAGIPOVIÇ
EMRI: Kenan
MBIEMRI: Ragipoviç
DITELINDJA: 16.11.1982
GJATESIA: 178 cm
POZICIONI: Mesfushor
SKUADRAT KU KA LUAJTUR: Novi Pazar (2000‑06), Seng Kang Punggol (2006‑07), Gloria (2007‑08), FCM Targu Mures (2008-09)
Burimi informativ / Sporti Shqiptar























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!