Platini: Duhet përgjigje e fortë për trukimet
Presidenti i UEFA-s Mishel Platini ka folur me gjuhën më të ashpër kundër skandalit të trukimeve që ka përfshirë aktualisht futbollin europian dhe ku përfshihen edhe ekipet shqiptare Tirana e Vllaznia. Një nga temat kryesore të diskutimeve në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s ka qenë pikërisht skandali i fiksimit të ndeshjeve, një prej më të mëdhenjve që ka parë bota e futbollit. “Nëse ne do t’i mësojmë rezultatet e ndeshjeve para se ato të luhen, atëherë unë nuk do të jem më president dhe ju nuk do të jeni më gazetarë, - u është drejtuar Platini reporterëve të pranishëm në Funkal, në Ishullin e Madeiras në Portugali. – Fëmijët nuk do të luajnë më futboll dhe njerëzit nuk do të shkojnë më në stadiume.
Ky fenomen është një njollë e rëndë për atë që ndjekin futbollin dhe prandaj duhet të përdorim çdo mjet për ta ndaluar”, deklaroi numri 1 i futbollit europian. Presidenti i UEFA-s premtoi masa tepër të forta ndaj klubeve që do të shpallen fajtorë, ndërsa përgëzoi sistemin e ri të zbulimit të mashtrimeve, që sipas tij është shuëm i efektshëm. “Komiteti Ekzekutiv ishte shumë i shqetësuar, - tha Platini. – Këto manipulime lidhen me bastet dhe ky është një problem shumë i madh. Ne kemi ngritur një sistem dedektues dhe e dimë nga vijnë paratë.
Po kështu, jemi duke i monitoruar ndeshjet 24 orë në ditë për 365 ditë të vitit. Monitorojmë deri në 29 mijë ndeshje në vit dhe kemi 400 kompani bastesh që na informojnë”, u shpreh numri 1 i futbollit europian. 5 skuadra europiane, mes të cilave Tirana e Vllaznia, janë nën hetim nga UEFA për shkak se akuzohen se kanë trukuar ndeshjet e tyre në Kupat e Evropës.
Nga vendimet e tjera të marra në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv ishte ai që finalja e Europianit të vitit 2012 të luhet në Kiev të Ukrainës. Veç kryeqytetit, për këtë turne janë zgjedhur edhe tre qytete të tjera të Ukrainas, Donjecku, Lvivi dhe Kharkovi. Sa i përket Polonisë, 4 qytetet e përzgjedhur janë Gdansku, Vroslava, Varshava dhe Poznani. Anoncimi u bë nga vetë presidenti i UEFA-s Mishel Platini. Europiani i vitit 2012 do të zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni, por deri tani organizimi i punëve nga ato ka marrë kritika të shumta. Gjithsesi, qeveritë e të dy vendeve kanë premtuar se do të jenë në kohë për ndërtimin e stadiumeve dhe të infrastrukturës së nevojshme për një kampionat europian.
Burimi Informativ: BALKANWEB























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!