Kokëdhima: Liga Profesioniste brenda FSHF-së
Presidenti i nderit i Apolonisë, Koço Kokëdhima, ka dorëzuar në FSHF një paketë ndryshimesh statutore
Presidenti i nderit i Apolonisë, Koço Kokëdhima, ka përgatitur një paketë ndryshimesh statutore, të cilën e ka depozituar në FSHF, por ua ka shpërndarë edhe klubeve tw kategorisë superiore. Në thelb, kjo paketë propozimesh nuk është as më pak dhe as më shumë, por janë vetëm disa dispozita tranzitore për të krijuar “de facto” Ligën Profesioniste të futbollit shqiptar nën juridiksionin e FSHF-së, institucion që mungon në futbollin tonë. Krijimi i Ligës Profesioniste të futbollit shqiptar është një përpjekje e kahhershme e presidentëve të futbollit tonë.
Sot, presidenti i nderit të Apolonisë, Koço Kokëdhima, nëpërmjet kësaj pakete propozimesh të paraqitura në FSHF por edhe te kolegët e tij, mendon se është pikërisht çasti i përshtatshëm për të hedhur hapin e parë drejt krijimit të Ligës Profesioniste të futbollit shqiptar.
Ja dhe paketa e propozimeve të paraqitura nga presidenti i nderit të Apolonisë, Koço Kokëdhima në FSHF:
I nderuar zoti President,
Të nderuar zotërinj anëtarë të Komitetit Ekzekutiv,
Nisur nga problemet e evidentuara në javët e fundit të kampionatit të futbollit lidhur me funksionimin e disa strukturave brenda FSHF-së, përgjegjëse për çështjet e arbitrimit dhe marrjes së masave kundër dhunës dhe disiplinës, propozojmë thirrjen e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së më datë 11 janar 2009, me rend dite shqyrtimin dhe miratimin e propozimeve pasqyruar më poshtë.
Propozimet kërkojnë modifikimin e dokumenteve themelore të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe për këtë arsye kërkohet thirrja nga Komiteti Ekzekutiv e Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme. Hyrja në fuqi i ndryshimeve do të jetë data 30 janar 2010, periudhë e cila lejon implementimin e ndryshimeve para rifillimit të aktivitetit futbollistik, pas ndërprerjes së muajit dhjetor 2009.
Konkretisht propozohen këto ndryshime:
Miratimi i kapitullit “Mbledhja e Përgjithshme e Klubeve të Superligës” në statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit
Përcaktimi, përbërja, funksionimi dhe kompetencat.
1. Mbledhja e Përgjithshme e Klubeve të Superligës është organ i përbërë nga presidentët e klubeve të futbollit të Superligës. Ky organ krijohet dhe funksionon deri në krijimin përfundimtar të Ligës Profesioniste, me kompetenca këshillimore dhe vendimmarrëse.
2. Organizimi dhe funksionimi i Mbledhjes së Përgjithshme të Klubeve të Superligës drejtohet nga Kryetari i Mbledhjes, i cili zgjidhet me një mandat njëvjeçar. Kryetari zgjedh Sekretarin Ekzekutiv për kryerjen e detyrave organizative dhe ndjekjen e përditshme të detyrave të lëna nga Kryetari ose Mbledhja e Përgjithshme.
3. Mbledhja e Përgjithshme e Presidentëve ka këto kompetenca:
- miraton dhe ndryshon rregulloren për funksionimin e saj
- miraton raporte, akte dhe vendime organizative deri në krijimin e Ligës Profesioniste
- emëron dhe liron nga detyra shefin e departamentit përgjegjës për Superligën, pjesë e sektorit të garave, vendim që komunikohet edhe për Komitetin Ekzekutiv
- emëron dhe liron nga detyra me votim të fshehtë dizenjatorin e sektorit të gjykimeve, përgjegjës për Superligën sipas kritereve të vendosura nga Komiteti Ekzekutiv. Vendimi i njoftohet Komitetit Ekzekutiv
- pezullon me afat të caktuar arbitrat dhe/ose asistentët, ose vendos ndalimin përfundimtar të gjykimeve të ndeshjeve të Superligës të arbitrave dhe/ose asistentëve. Vendimi i njoftohet Komitetit Ekzekutiv
- bashkëpunon me Federatën Shqiptare të Futbollit për krijimin e Ligës Profesioniste të Futbollit, krijim i cili do të realizohet brenda një afati të arsyeshëm.
4. Të gjitha vendimet e Mbledhjes së Përgjithshme i komunikohen Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i cili ka të drejtë që brenda një periudhe 5-ditore nga njoftimi i vendimit të kërkojë vetëm 1 herë rishqyrtimin e vendimit përkatës.
5. Mbledhja e Përgjithshme e Klubeve të Superligës mblidhet me kërkesën e Kryetarit ose të kërkesës së paraqitur nga një e treta e anëtarëve të mbledhjes. Në çdo rast, Kryetari boton në 2 gazetat më të mëdha sportive njoftimin e datës së mbledhjes, rendin e ditës dhe vendin e mbajtjes së mbledhjes. Data e mbledhjes vendoset brenda një periudhe kohore prej 7 ditësh nga data e njoftimit të dytë, publikuar në gazetë. Kryetari merr masa që me anë të postës të njoftojë anëtarët për rezolutat ose projektvendimet që do të shqyrtohen. Në mbledhje shqyrtohen vetëm rezoluta dhe projektvendime, me të cilat anëtarët janë njohur para datës së mbledhjes. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur në mbledhje, në mënyrë unanime, vendoset shqyrtimi i rezolutave dhe i projektvendimeve të propozuara rishtazi gjatë mbledhjes.
6. Mbledhja e Përgjithshme e Klubeve të Superligës mbahet nëse plotësohet kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e saj. Kuorumi konsiderohet i plotësuar nëse është e pranishme shumica e thjeshtë e anëtarëve. Në rast se nuk plotësohet kuorumi në mbledhjen e parë, brenda 5 ditëve mbahet mbledhja e dytë, e cila mbahet duke u respektuar kuorumi prej 30% të anëtarëve. Edhe për mbledhjen e dytë bëhet një njoftim publik në 2 gazetat më të mëdha sportive. Në çdo rast vendimet merren me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
7. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Mbledhja e Përgjithshme e Klubeve të Superligës angazhohen të realizojnë krijimin e Ligës Profesioniste të Futbollit brenda një periudhe kohore të arsyeshme.
8. Zbatimi dhe interpretimi i dispozitave referuar Mbledhjes të Klubeve të Superligës bëhet në përputhje me dispozitat e tjera të Statutit të FSHF-së. Në rast kontradiktash kanë përparësi dispozitat e miratuara më datë 11 janar 2009.
Miratimi i ndryshimeve të organizimit dhe funksionimit të Sektorit të Garave nëpërmjet një kreu të veçantë për këtë qëllim
1. Sektori i Garave organizohet dhe funksionon me dy departamente dhe përkatësisht, departamenti përgjegjës për Superligën dhe departamenti përgjegjës për aktivitetet e tjera futbollistike. Departamenti përgjegjës për Superligën drejtohet nga shefi i departamentit, i emëruar nga Mbledhja e Përgjithshme e Klubeve të Superligës, ndërsa departamenti përgjegjës për aktivitetet e tjera nga shefi i departamentit, i emëruar sipas dispozitave në fuqi të Statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit.
2. Funksionimi i përditshëm i departamenteve realizohet sipas dispozitave të mësipërme dhe dispozitave të tjera të Statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Infrastruktura dhe burimet e Federatës Shqiptare të Futbollit shfrytëzohen për mbarëvajtjen e aktivitetit të çdo departamenti.
Miratimi i ndryshimeve të organizimit dhe funksionimit të sektorit të Komisionit të Arbitrave nëpërmjet një kreu të veçantë për këtë qëllim
1. Komisioni i Arbitrave organizohet dhe funksionon me dy departamente dhe përkatësisht, departamenti përgjegjës për Superligën dhe departamenti përgjegjës për aktivitetet e tjera futbollistike. Departamenti përgjegjës për Superligën drejtohet nga dizenjatori i arbitrave, i emëruar nga Mbledhja e Përgjithshme e Klubeve të Superligës, ndërsa departamenti përgjegjës për aktivitetet e tjera nga dizenjatori i arbitrave, i emëruar sipas dispozitave në fuqi të Statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit.
2. Funksionimi i përditshëm i departamenteve realizohet sipas dispozitave të mësipërme dhe dispozitave të tjera të Statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Infrastruktura dhe burimet e Federatës Shqiptare të Futbollit shfrytëzohen për mbarëvajtjen e aktivitetit të çdo departamenti.
Miratimi i ndryshimeve të pagesave së arbitrave, asistentëve dhe vëzhguesve
1. Pagesat e arbitrave, asistentëve dhe vëzhguesve do të jenë në vlerat si më poshtë:
a) Arbitrat kryesorë në vlerën 600 euro për çdo ndeshje zyrtare,
b) Asistentët në vlerën 300 euro për çdo ndeshje zyrtare,
c) Vëzhguesit në vlerën 200 euro për çdo ndeshje zyrtare.
2. Pagesat e arbitrave, asistentëve dhe vëzhguesve përballohen nga fondi i krijuar për këtë qëllim nga klubet e Superligës para nisjes së aktivitetit futbollistik. Për krijimin e këtij fondi klubet e Superligës japin një kontribut prej 10.000 euro çdo klub, kontribut që përdoret për pagesat e arbitrave, asistentëve dhe vëzhguesve. Kjo shumë mbahet nga shuma që klubet përfitojnë nga e drejta televizive, ndërsa klubet që nuk përfitojnë nga e drejta televizive paguajnë shumën përkatëse në Federatën Shqiptare të Futbollit.
3. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Mbledhja e Përgjithshme e Klubeve të Superligës bashkëpunojnë për implementimin e përcaktimeve parashikuar më sipër.
Miratimi i ndryshimeve në kapitulli XI, Kodet e Drejtësisë Sportive, duke shtuar kreun “Provat televizive”
Sektori i Garave vë në çdo rast në dispozicion të Organeve Gjykuese pamjet filmike dhe televizive të ndeshjeve futbollistike, ku ka aspekte që lidhen me dhunën dhe disiplinën sipas parashikimeve të Statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Kodeve të Drejtësisë Sportive. Organet gjykuese administrojnë provat filmike dhe bazohen në to për marrjen e vendimeve, pavarësisht qëndrimeve të arbitrave gjatë ndeshjes, ose raportit të vëzhguesit të ndeshjes.
Për shqyrtimin dhe miratimin e propozimeve ftojmë Federatën Shqiptare të Futbollit të marrë masat e nevojshme për mbajtjen e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme sipas përcaktimeve të Statutit.
Duke ju falënderuar
Për FK “Apolonia”
Burimi informativ / Sporti Shqiptar























Komente (1 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!