BIG BROTHER 2, hapet sipari i surprizave
Starton sot në mbrëmje edicioni i dytë i "Big Brother Albania". Kush do të jenë banorët e shtëpisë më të madhe dhe më të vëzhguar në Shqipëri? Pse djemtë do të vazhdojnë të triumfojnë mbi vajzat? Nga vijnë dhe çfarë bëjnë? Kjo do të mbetet ende surprizë deri në orën 20.45, në spektaklin që do të transmetohet drejtpërdrejt në ekranin e "Top Channel" Ajo që mund të zbulojmë në numrin e parë të suplementit "Big Brother 2" është fare pak nga mekanizmi zinxhir i përgjimit.
Loja emocionuese, ku triumfon vërtetësia
Ndryshe nga pjesa më e madhe e atyre që janë të magjepsur pas ekranit të vogël, autorja e programit "Big Brother 2", Grazia Pracilio, tregon se nuk ka ëndërruar të bëhet e famshme përpara kamerave, por ka dëshiruar ta krijojë ajo vetë një produkt televiziv. Autorja e spektaklit më të madh "reality" në Shqipëri, "Big Brother 2", që sonte mbrëma starton në "Top Channel", ka studiuar balet klasik dhe kjo e ka bërë të provojë emocionet që të jep drita e kuqe e kamerës, përpara se të provonte drithërimat e një prodhimi cilësor televiziv, të krijuar me dashuri dhe përkushtim nga pas tyre. Grazia Pracilio ka pasur fatin të punojë me emra të mëdhenj të televizionit italian,
madje ka qenë pjesë e suksesit të padiskutueshëm të edicionit të parë të këtij lloji formati "reality show", që në vendin fqinj mban emrin "Grande Fratello". Ajo nuk e fsheh surprizën e bukur që ka pasur gjatë bisedave me kandidatët për konkurrentë, ku rinia shqiptare i është shfaqur plot energji dhe me një shpirt mjaft të pasur. Ndërkohë që prezantuesja e spektaklit, Arbana Osmani, ka vendosur të mos lëshojë asnjë intervistë mbi spektaklin,
Grazia nuk mbeti dot pa rrëfyer disa gjëra pikante mbi përvojën e saj të parë me një televizion shqiptar dhe garën televizive "Big Brother 2", që do të mbajë para ekranit të "Top Channel" mijëra shikues.
- Çfarë ju pëlqeu dhe çfarë ju stepi kur morët ftesën për të ardhur në "Big Brother 2"?
Zgjodha të vij në "Big Brother 2", sepse kam punuar me spektaklin e parë të "Grande Fratello"-s në Itali dhe nuk pashë arsye pse të hiqja dorë nga prania ime në këtë edicion të dytë të këtij "reality show" shqiptar. Për mua, ndryshimi nuk është mes Shqipërisë dhe Italisë, unë thjesht jam në edicionin tim të dytë të këtij formati. A mendoni se ata që marrin pjesë në një "reality show" të tillë, janë kategori njerëzish që lehtësisht do të bënin gjithçka për para? Jo. Jo të gjithë hyjnë në "Big Brother" për para. Ka njerëz që e bëjnë për të dhënë një imazh të ndryshëm të vetvetes, ka që e bëjnë për kureshtje, ka që e bëjnë për t‘u zbavitur. Nuk mendoj se e bëjnë vetëm për para. A do të kemi një "Big Brother" ndryshe këtë vit? Pse? Është gjithmonë ndryshe "Big Brother". Po të mos ishte në ndryshim, nuk do të vazhdonin kaq edicione.
- Diçka më shumë? Apo surpriza e së shtunës mbrëma nuk preket...?
Di që Arbana ka vendosur të rrijë në heshtje totale përballë mediave...ju jeni shpresa e vetme për të mësuar diçka... Po, Arbana ka zgjedhur të rrijë në eshtje për kënaqësinë që natën e parë të spektaklit, të na dhurojë një surprizë. Megjithatë dua të di, konkurrentët do të jetojnë si të varfër, apo si pashallarë? (Qesh) Do të jetojnë...do të jetojnë si konkurrentë. Pra...do ta thajnë arkun?
Jo, "Big Brother 2" nuk është "Isola dei Famosi". Por i uroj që t‘i tejkalojnë provat javore, në mënyrë që të mbrojnë të ardhurat e javës. Pak varet prej tyre, por edhe nga ne, sepse të them të drejtën, nuk është se provat do t‘ia japim shumë të thjeshta.
- Sa i pashpirt do të jetë "Big Brother 2"?
Nuk mendoj se është i pashpirt, mendoj se është një lojë. "Big Brother 2" do të jetë një spektakël ku duhet luajtur. A do të ketë rikthim në të shkuarën e konkurrentëve, apo thjesht do të merremi me jetën e tyre brenda "Big Brother"? Nuk ekziston një jetë e izoluar vetëm brenda shtëpisë së "Big Brother 2", apo vetëm brenda kufirit kohor të kësaj loje, që përjashton jetën që ata kanë bërë jashtë. Ata janë këtu, si rezultat i asaj që kanë jetuar mbi supe.
- Çfarë ju ka lodhur më shumë deri tani? Asgjë. A do ta quanit humbje të madhe, sikur në "Big Brother 2" të mos lindë një lidhje dashurie, siç ndodhi me "Big Brother 1"?
Jo, nuk është ndonjë humbje e madhe, në qoftë se vërtet nuk ndodh. Por ka lidhje dashurie që shfaqen dhe histori që nënkuptohen, unë kam shumë besim te kureshtja e telespektatorëve.
- Është krijuar ideja se të gjithë pjesëmarrësit në "Big Brother" synojnë botën e televizionit apo spektaklit, ju a do t‘i ndihmoni konkurrentët që të shprehin talentin me gara ku duhet të këndojnë, kërcejnë, apo edhe aktrojnë?
Jo, nuk mendoj kështu. Mes konkurrentëve të këtij edicioni, ka prej tyre që janë njerëz të veçantë që janë në "Big Brother" për tjetër arsye. Madje, njëri prej tyre, nuk është në këtë "reality show" sepse dëshiron të bëhet aktor, por unë e desha këtu, sepse mendoj se është një aktor i lindur, që ende nuk është zbuluar.
- Nëse në shtëpinë e "Big Brother 2" do të zotërojë monotonia, ju e keni formulën fituese për t‘i bërë konkurrentët aktivë në lojë?
Unë nuk mendoj se ata vetë do të duan që të bien në monotoni dhe nuk mendoj se ka formula magjike që i nxjerr nga ajo gjendje. Unë nuk jam magjistari i llambës se Aladinit, por uroj që ata të mund ta gjejnë një të tillë. "Grande Fratello Italia" ka pritur afërsisht tetë vjet që në shtëpinë e atij spektakli të hyjë një transeksual dhe së fundi një i verbër. Po në Shqipëri, mendoni se mund të ndodhë kjo gjë? Unë them se është vetë Shqipëria ajo që e vendos këtë gjë, nëse ndonjëherë do të ndodhë. "Big Brother" nuk është vetëm një program televiziv, përndryshe do të kisha punuar në spektakël. Ky format është i vetmi që mundet të sjellë diçka që flet për njerëzit e thjeshtë, sepse ata që e bëjnë janë djem dhe vajza të zakonshëm. Ajo që i dallon është vetëm dëshira për t‘u shfaqur. Por "Big Brother" është edhe një pasqyrë e asaj që është rinia sot dhe unë kam mbetur e habitur nga lloji i temave që prekin të rinjtë shqiptarë. Jam e lumtur dhe them se është e rëndësishme që t‘i japim mundësinë që të flasin.
- Çfarë do t‘i jepte suksesin dhe shikueshmërinë e menjëhershme këtij lloj spektakli? Marrëdhënia seksuale para kamerave? Prania e një personi me aftësi të kufizuara? Vetëdeklarimi i një gay? Provokimi politik? Grindja?
E vërteta, ajo që jep suksesin është e vërteta. Triumfi i një spektakli të tillë ka vetëm një formulë që të jetë i vërtetë. Nuk ka asgjë që të bën më shumë për të qeshur apo për të qarë, sesa e vërteta.
- Nëse "Big Brother 2" do të ishte njeri, si e imagjinoni?
Këtë pyetje, unë vetë ia kam bërë të gjithë atyre që kanë ardhur për të hyrë në spektakël. Përgjigjja e tyre ka qenë: Si një vëlla të madh. Ju vetë, do të hynit si konkurrente në "Big Brother"? Kësaj pyetjeje, unë i përgjigjem gjithmonë jo, për faktin e thjeshtë se do të humbisja atë që më pëlqen më shumë. Mua nuk më pëlqen të rri para kamerave, por pas tyre. Por kam një simpati të madhe për ata që më japin mundësinë të jem në këtë pozicion, pra janë ata që hyjnë në shtëpinë e "Big Brother". Janë njerëz me kurajë, të këndshëm, kanë një sens të madh humori dhe mendoj se nuk kanë frikë të shfaqin veten ashtu siç janë. Keni një fjalë për lexuesit, shikuesit?
Të mos humbin takimin me "Big Brother".
Eno Popi: Dashuria përsëritet
Edicioni i parë i "Big Brother Albania" ishte si dashuria e parë. Por, në këtë rast, me një produksion krejt të ri, që merrte udhë në "Top Channel". Eno Popi u caktua të ishte një nga bashkëprezantuesit, personi i parë që do të kishte kontakt me banorët e "Big Brother" e do t‘i shoqëronte ata në hyrje dhe në dalje të kësaj aventure të madhe televizive. Të përjetosh emocionet, rrahjet e zemrës dhe fjalët e fundit të konkurrentëve para se të hyjnë në shtëpinë më të vëzhguar nga shqiptarët, është roli që do të mbajë edhe në këtë edicion të dytë. Eno rrëfen se kur i propozuan të ishte i dërguari përpara portës së madhe të "Big Brother Albania", duhet të ndante emocionet
personale për angazhimin më të ri profesional e po ashtu edhe të mbante emocionet që do të përcillnin banorët e përzgjedhur në edicionin e parë. Bashkëpunimi me Arbanën I duhet edhe në këtë edicion të bashkëprezantojë me Arbana Osmanin. Natyrisht do të jetë shpatulla mbështetëse e saj në këtë "reality" në "Top Channel". "Arbana është kolegia ime në ‘Top Albania Radio‘ prej 10 vitesh. E njohim gjatë e mirë njëri-tjetrin. ‘Big Brother‘ na bashkoi sërish në punë e për rrjedhojë edhe komunikimin e batutat i kuptojmë mirë, ndaj ndihem mirë edhe këtë radhë. Pesha kryesore e spektaklit i takon Arbanës, por është bukur që ta ndash këtë eksperiencë televizive me të". Emocionet përsëriten "Big Brother Albania" këtë vit hyn në edicionin e dytë, protagonistët mbeten të njëjtë, por përmbajtja dhe ajo çka ata do të sjellin ndryshon. Eno Popi, si i dërguari në shtëpinë e "Big Brother", do të mbledhë të dielave në diskutime dhe analiza ish-banorë të "Big Brother", miq të banorëve të rinj dhe fansa të atyre në "Big Brother Fans Club", një "talk show" i vërtetë mbi këtë produksion të madh televiziv.
Ergys Lubonja: Sfida e natës së madhe
Për Ergysin, vjet ishte diçka ndryshe. Ishte një aktivitet i pabërë ndonjëherë në vendin tonë, mbi të gjitha, jo në këto përmasa. Duke pasur parasysh se ishte një emision i blerë nga "Endemol", kërkesa nga ana e tyre, si për cilësi artistike edhe kushte teknike, ishte shumë e madhe", thotë Lubonja. "Ajo çfarë e ndryshon të vjetshmen nga sivjet, është se këtë vit është sfida brenda nesh. Në edicionin e dytë të këtij "reality show", na duhet të krahasohemi me veten, na duhet ta sfidojmë atë. Ky angazhim është një impenjim shumë i madh, sepse, përveç asaj që ndodh në studio, duhet koordinuar i gjithë informacioni që vjen si nga pjesa e jashtme e shtëpisë, ashtu
dhe nga dy regjitë që ndjekin atë çfarë ndodh në shtëpinë e ‘Big Brother‘", thotë regjisori. Por pika e fortë ku ai do të mbështetet fort edhe në këtë start të dytë, mbetet stafi profesional i "Top Channel", stafi teknik dhe artistik,
bashkëpunimi i ngushtë me autoren italiane të programit, Gracia, e cila sjell gjithë eksperiencën shumëvjeçare në këto lloj formatesh. Ergysi vlerëson shumë dhe punën e mirë të bërë nga skenografi Mikael Drita, si me studion ashtu dhe me shtëpinë.
Ndryshimet në shtëpinë e "Big Brother 2"
- Cfare ndryshimesh ka pësuar këtë vit shtëpia e "Big Brother"?
Vitin e kaluar, ia dolëm me sukses të realizonim një spektakël me standarde të njëjta si në vendet fqinje, që prej vitesh zhvillojnë të tilla "reality show". Eksperienca e vjetshme na dha mundësinë që këtë vit të mendonim ndryshe për shtëpinë e "Big Brother". Menduam ta bëjmë sa më dinamike përmes ngjyrave dhe lojërave apo surprizave, pa të cilat, ky show televiziv nuk ka kuptim. Ndryshe nga vjet, këtë vit, shtëpia ka më tepër vende sekrete, më shumë sipërfaqe të cilat do të shfrytëzohen për lojëra e surpriza gjatë gjithë javës. Kjo do të sjellë dinamizëm edhe në jetën e banorëve, të cilët do të jenë më të çliruar nga efekti i mbikëqyrjes e survejimit të kamerave. Dinamika e shtëpisë, me ngjyrat dhe hapësirat e saj, do të ndihmojë në nxjerrjen në pah të veçorive e karakteristikave të secilit prej 14 banorëve. Kemi menduar të koordinojmë të dyja, edhe shtëpinë edhe studion, për t‘i dhënë një kuptim 100 ditëve të qëndrimit të banorëve në shtëpinë e "Big Brother". Natyrisht që shtëpia është shumë e bukur, shumë tërheqëse, e konceptuar si një model ku çdokush do ta kishte ëndërr të jetonte. Banorëve që do të qëndrojnë aty, nuk do t‘i mungojnë as fasilitetet, por as dhe vështirësitë që duhet të kalojnë gjatë ditëve të qëndrimit.
Sytë e "Big Brother"
Asgjë e ngritur madhështore deri më sot për edicionin e dytë të "Big Brother" s‘do të kishte kuptim pa grupin e teknikës, përmes të cilit do të mundësohet survejimi i 14 banorëve të rinj, që do të ndajnë së bashku 100 ditët e qëndrimit në shtëpinë e re. Ethet e "reality show"- t kanë përfshirë të gjithë stafin e "Big Brother 2" e bashkë me ta edhe Redi Nezirin, përgjegjësin teknik të audios dhe videos në shtëpinë më të famshme në Shqipëri. Ndërmarrja e tij gjigande ka nisur punën prej kohësh dhe tashmë gjithçka është gati të fillojë, si spektakli i sotëm, ashtu edhe jeta e re e 14 banorëve në shtëpinë e re të "Big Brother". Me djemtë e teknikës ai ka mbyllur të
gjitha përgatitjet për instalimin e 45 telekamerave të survejimit, 15 mikrokamerave, 5 kamerave (broadcast), 80 monitorëve, 20 PC, 4 pikave të montazhit për prodhimin e gjithë informacionit të mbledhur nga stafi i "Big Brother", më shumë se 60 mikrofonave, rreth 10000 metra kabull për audio e video, 4 regji të ndryshme për sinjalet, të gjitha këto për 96 orë regjistrim në ditë, 8640 orë të regjistruara për tre muaj, 3 mijë minuta përmbledhje
e 100 ditë-ngjarjeve, për 13 javë spektakle. Të gjitha këto vetëm për një shtëpi, ku do të jetojnë 14 banorët më të famshëm në Shqipëri. Survejimi Syri vëzhgues i instaluar tashmë në të gjithë hapësirën brenda shtëpisë së ‘Big Brother 2‘ është në pritje për të kapur edhe detajet më të vogla, për të survejuar gjithçka ndodh aty brenda, 24 orë në 24 e më pas për t‘ua përcjellë teleshikuesve dhe fansave të banorëve, të cilët nuk dyshohet se do të jenë të shumtë. "Kemi pasur parasysh që në çdo drejtim të ruajmë dhe të plotësojmë kërkesat e vendosura nga kompania "Endemol", për sa i përket zinxhirit, përmes së cilit do të përcillet informacioni nga shtëpia te teleshikuesi, prodhimi tij, ruajtja e më pas përpunimi. Janë rreth 45 telekamera, të cilat gjithë kohës qëndrojnë të ndezura, pra janë në transmetim. Përveç tyre, brenda shtëpisë janë instaluar dhe 15 kamera të tjera, të cilat survejojnë çdo
lëvizje të banorëve gjatë 24 orëve. Kjo strukturë teknike është konceptuar të jetë e njëjtë sikurse një vit më parë, në edicionin e parë të "reality show"-t "Big Brother"-thotw Neziri. Gjithçka e përgatitur deri tani brenda shtëpisë
është në përputhje me konceptin e këtij programi, bazuar në përvojat evropiane, pra survejimi 24 orë pa ndërprerje, ditën e natën, pa humbur asnjë çast, asnjë sekondë, asgjë nga jeta e 14 banorëve.
ARBRI, NJË VIT MË PAS
Në bodrumin e një vile që nuk bie dhe aq në sy, brenda zonës së ish-Bllokut në kryeqytet, fituesi i edicionit të parë të "reality show" "Big Brother", Arbër Çepani, ka instaluar prej disa muajsh zyrën e tij. "Ndryshimi fillon nga ti" është motoja me të cilën 22-vjeçari ka ndërtuar tanimë fushatën sensibilizuese, i ndihmuar nga një rrjet të rinjsh vullnetarë. Ajo që e bën të veçantë "rezidencën" e Arbrit është modifikimi që i ka bërë bodrumit, duke e shndërruar atë nga një ambient të harruar, në një kullë të vërtetë malësie. Aty gjen gjithçka që duhet të ketë një strehë bajraku. Bucelat, sëpata e varur në mur, apo stiva e druve e improvizuar aq bukur, sa për një moment të duken se janë përdorur realisht për shkak të ambientit të ngrohtë aty brenda. Në mes të dhomës është e shtruar sofra e drurit dhe në qoshe të saj, shiltet me lesh deleje. Ajo çka na sjell në kohë e na bën të buzëqeshim janë shishet e verës, likeret mbi sofër. Përsëri të gjitha këto nuk e zbehin imazhin e një kulle brenda një vile moderne. Që nga dita kur fitoi 50 mijë euro e deri më sot, kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj. Sot, në prag të nisjes së edicionit të dytë të "reality show" më të madh në vend, kemi në dorë të gjithë preventivin e projekteve që Arbri dhe grupi i vullnetarëve ka zbatuar në një periudhë kohore prej tetë muajsh.
- Pas këtyre aktiviteteve, a mund ta dimë edhe sa para ju kanë mbetur?
Nuk merremi me tenderime (qesh). Është një punë e përditshme, ka kosto dhe nuk i kemi bërë një buxhet real asaj që kemi bërë ne tani. Ajo çka ne kemi bërë deri tani, në qoftë se do ta krahasonim me koston e ndërtimit të një autostrade, jemi në mes të rrugës, kemi lekë për të investuar akoma, për ta mbyllur nga fillimi deri në fund.
Sa e gjatë mendoni se do të jetë kjo autostradë, siç ju preferoni ta cilësoni?
Ajo çfarë presim të bëjmë, është dhe një herë aq sa kemi bërë. Doja të shtoja diçka për "Big Brother"-in, të gjithë ata shqiptarë që na kanë ndjekur në edicionin e parë, i ftoj të na ndjekin dhe në këtë event të dytë, sepse
do jetë një edicion plot surpriza e gjëra argëtuese, do të jetë një edicion ku një nga surprizat ndoshta mund të jem dhe unë. Ndiqni datën 7 shkurt, do të jetë një natë plot surpriza, rrini të gozhduar, sikurse keni ndenjur tre muaj në "Big Brother"-in e parë, ashtu qëndroni dhe në të dytin.
Psikologjia në telenovelën reale
Enila Cenko, psikologia zyrtare e "Big Brother", ka qenë pranë konkurrentëve në momentet e tyre të para të prezantimit me një kamerë. Intervistë pas interviste, ka ndjekur emocionet e atyre njerëzve, të cilët janë gati të shndërrohen në personazhe duke qenë në vëzhgimin e pandërprerë të kamerave për 2376 orë. Se si do të rrjedhin ngjarjet në shtëpinë më të famshme e më të vëzhguar në Shqipëri, mund ta zbulojmë vetëm kur koha të mbarojë. Do të pëlqente të fliste për atë që e di me siguri; përvojën e një viti më parë. "Big Brother 2" mbetet ende një surprizë. Një gjë është e sigurt, ajo do të vazhdojë të qëndrojë pranë të gjithë banorëve të rinj, pse jo, duke "kursyer" edhe orët e gjumit. Sepse telenovela e jetës reale, siç Enila parapëlqen ta quajë, të përfshin në çdo sekondë të ngjarjeve.
- Cila ka qenë marrëdhënia juaj me 18 banorë në 100 ditët e një viti më parë?
Gjatë eksperiencës sime profesionale, kam punuar me njerëz të moshave të ndryshme dhe nga sfera të ndryshme të jetës. Por në rastin e "Big Brother", u prezantova me 18 banorë, të përzgjedhur qëllimisht për të qenë të ndryshëm për sa u përket personaliteteve të tyre, përvojave jetësore dhe këndvështrimeve që kanë mbi jetën.
- Sa ndryshon komunikimi mes tyre, mes marrëdhënies që ju keni me klientët në punën nën studion e psikologut?
Këta banorë u vendosën në situata artificiale dhe shpeshherë të ngarkuara emocionalisht, të një lloji të veçantë, që shumë pak njerëz mund të provojnë në jetë. Këto arsye kanë bërë që dhe puna ime me ta të ishte e një natyre të ndryshme nga ajo që karakterizon marrëdhëniet e zakonshme psikolog-klient. Për më tepër, gjatë kohës që banorët ndodheshin brenda në shtëpi, komunikimi midis nesh kryhej nëpërmjet mikrofonave dhe një kamere nëpërmjet së cilës unë i shihja banorët, por jo ata mua. Pamundësia e kontaktit të drejtpërdrejtë fizik dhe faktorë të tjerë të ngjashëm, më kanë dhënë mundësinë që të përballesha me aspekte të reja të marrëdhënies me klientët, gjë që e vlerësoj si mjaft të rëndësishme në nivelin profesional.
Duke qenë se roli i psikologut është për t‘u kujdesur për mirëqenien emocionale të klientit, sa keni mundur të ruani etikën në një spektakël të tillë, në dukje paska kontradiktor?
Në marrëdhënien me klientët, qëllimi kryesor i psikologut është të përkujdeset për mirëqenien emocionale dhe mbarëvajtjen e shëndetit mendor të tyre. Për këtë arsye, puna ime me banorët është përqendruar tërësisht mbi mirëqenien e tyre, duke lënë mënjanë qëllimisht pjesën e spektaklit që kishte të bënte me "lojën" e banorëve për çmimin fitues. Jam përpjekur vazhdimisht që të mbaj një qëndrim të hapur dhe jo gjykues ndaj banorëve, në mënyrë që të krijoj një marrëdhënie terapeutike me ta.
- Sa konfidenciale është marrëdhënia juaj me ta?
Marrëdhëniet e mia me secilin nga banorët e "Big Brother" kanë qenë tërësisht konfidenciale, sipas rregullave të etikës së psikologut.
- Nuk keni pranuar për të qenë opinioniste gjatë netëve të spektaklit, ishte një zgjedhje personale?
Jo. Profesionale. Kam zgjedhur të mos shfaqem si opinioniste në spektaklin "live" të të shtunave mbrëma, pasi dhënia e opinioneve mbi sjelljen apo veprimet e banorëve do të thyente konfidencialitetin e marrëdhënieve
të vendosura mes nesh.
- A e kanë pasur të lehtë të hapen personazhet e "Big Brother" me ju?
Nuk kam pritur dhe nuk i kam shtyrë banorët që të "rrëfehen" tek unë për ngjarje të mëparshme të jetës së tyre, pasi dhe marrëdhënia jonë ka qenë e fokusuar në të tashmen dhe jo në të kaluarën.
- A ka pasur raste që kanë bërë rezistencë ndaj nevojës për të marrë shërbimin e psikologut?
Jo, nuk kam hasur rezistencë nga banorët e "Big Brother". Por, sigurisht që banorë të ndryshëm, e kanë shfrytëzuar në mënyra të ndryshme mundësinë e bashkëbisedimeve, disa më shpesh e disa më pak.
- Cili ka qenë momenti më i vështirë për ju gjatë punës me ta?
Momenti më i vështirë për mua ka qenë dita e shpërthimit në fshatin Gërdec, ngjarje të cilën banorët e shtëpisë së "Big Brother" e përjetuan fare afër.
- Sa kohë në ditë harxhonit me ta?
Orë pafund. Jo sepse komunikoja drejtpërdrejt me ta në mënyrë konstante, ndonëse dhe bashkëbisedimet tona nuk kanë qenë të pakta. Por natyra e punës sime ishte e tillë që duhet t‘i ndiqja vazhdimisht zhvillimet në shtëpinë e "Big Brother" nëpërmjet ekranit.
- Ç‘mendim keni për sjelljet, reagimet dhe veprimet e tyre brenda shtëpisë?
Mendoj se falë sjelljeve, reagimeve dhe veprimeve të tyre shpesh origjinale, banorët na kanë dhuruar një spektakël tepër argëtues.
- Duke qenë se ky spektakël vendoste shpesh rregulla dhe sanksione, a mendoni se ka ndikuar në rritjen e stresit te banorët?
Sigurisht që po. Vendosja e një sistemi të fortë kontrolli nga ana e "Big Brother" është një nga elementët kryesorë të spektaklit, së bashku me izolimin nga bota e jashtme, bashkëjetesën me të panjohur dhe jetesa në kushte bazike. Është kombinimi i këtyre faktorëve që e bën interesante qëndresën e banorëve në këtë shtëpi, pasi atyre ju duhet të menaxhojnë stresin që vjen si pasojë e tyre; ndërkohë që duhet të punojnë për të fituar çmimin e madh.
Si do ta vlerësonit këtë spektakël?
"Eksperiment psikologjik?" Më tepër se një eksperiment psikologjik, do ta quaja një "telenovelë të jetës reale".
Igli Gjelishti: "Big Brother" online
Eshtë mënyra e vetme që i mban fansat në kontakt me gjithçka ndodh brenda shtëpisë së "Big Brother", në pamundësi për ta ndjekur këtë "reality show" në shtëpi, para televizorit. Duke qenë se një pjesë e njerëzve janë në zyra apo udhëtim, njerëzit nuk qëndrojnë pas televizorit, kjo është një mënyrë që i mban në kontakt me të rejat nga jeta e banorëve. Faqja e internetit do të përmbajë lajme çdo minutë, video të përmbledhjeve ditore e të
përjavshme, përfshirë dhe spektaklin e së shtunës, pjesë të patransmetuara në ekran gjatë javës. Nuk do të mungojë forumi dhe chat-i, dhe pa dyshim, pjesa më e veçantë, intervista me banorin e eliminuar, fotogaleria me
momentet e shtëpisë që abdetohen minutë pas minute e ditë pas dite dhe informacione të përgjithshme, rregullorja, kushtet e shtëpisë, sjelljet me njëri-tjetrin, gjithçka e vendosur nga autorët e këtij programi. Temat do të jenë ngacmuese, diskutimet pa limit, debatet të nxehta në chat për gjithçka pritet të ndodhë gjatë bashkëjetesës 100-ditore të 14 banorëve me njëri-tjetrin në shtëpinë më popullore, "Big Brother". Por, mbi të gjitha, foto e video të regjistruara në 24 orë mbi jetën e tyre, të gjitha këto do të jenë thelbi i faqes së internetit të "reality show" "Big Brother".
Të gjitha hallkat e saj do të funksionojnë me një qëllim të përbashkët, përcjelljen e informacionit sa më shpejt te fansat e 14 banorëve të "Big Brother". Suksesi është i garantuar. Këtë e pohon me bindje dizajnuesi i faqes së internetit, i cili bazohet mbi përvojën e një viti më parë. Igli nuk ekishte imagjinuar se opullariteti i faqes do të ishte aq i madh. Informacionet mbi gjithçka bëhej aty brenda shtëpisë u përcollën për gati 30 mijë vizitorë në ditë, por kulmi i vizitave vinte sidomos pas debateve të nxehta, ngjarjeve të vrullshme dhe shumë shpesh të paparashikueshme që u ndodhnin banorëve me jetët e tyre. Foto galeria Faqja u përgatit mbi bazën e kërkesave të kompanisë "Endemol", sipas standardeve që ajo kishte. Lajmet online përcjellin gjithë pasqyrimin e ngjarjeve që ndodhnin brenda shtëpisë, konfliktet, debatet, diskutimet që banorët bënin gjatë 24 orëve në shtëpi me njëri-tjetrin. Për t‘i shtuar larminë dhe llojet e informacioneve, u mendua hapja e një fotogalerie, brenda së cilës ndodhen fotot nga momentet më kulmore të ditës.
I shtuam kësaj dhe një seksion më vete për videot ku pasqyroheshin të gjitha përmbledhjet e ditës, spektaklet e së shtunës. E reja që shkaktoi dhe shumë debate vitin e kaluar, ishte futja në fotogaleri e videove ku jepeshin momente të pazbuluara në transmetimet e përditshme, apo në studio gjatë spektaklit, kjo për shkak të përmbajtjes së tyre. Kujtoj këtu, mëngjesin e parë të Olsit e Noçes, apo detaje të tjera të lidhjes së tyre gjatë ditëve të qëndrimit në shtëpi. Pjesë e rëndësishme e faqes së internetit ishte dhe intervista me banorin e eliminuar të javës. Përmes intervistës, fansat e tij mësonin se si shkonin ditët "në liri" jashtë shtëpisë, të thënat dhe të pathënat mbi jetën e kaluar në shtëpinë e "Big Brother". Forumi e Chat-i Seksioni më i zjarrtë në faqen e internetit të "Big Brother" është chat-i midis banorëve të eliminuar dhe fansave, komunikimi i tyre është i hapur e pa censurë, por i rregullt për sa i takon përmbajtjes. Vitin e kaluar, ky ishte momenti më kulmor i javës. Forumi ishte një tjetër bum i "Big Brother 1". Në të u dërguan mbi 40 mijë postime në 100 ditët e qëndrimit të banorëve në shtëpi, shifër kjo e paimagjinueshme. Në forum kishte debate nga të gjitha llojet. Temat kryesore ishin kryesisht ato dedikuar banorëve të shtëpisë së "Big Brother", çdo anëtar kishte një temë të vetën. Tema të tjera ishin historitë e dashurisë, fillimisht Noçja me Olsin, e më pas Poli me Inën. Numri i vizitorëve ishte i madh, kishte mesatarisht 25 mijë-30 mijë vizitorë, por kulmi arrinte mbrëmjen e spektaklit, ku të gjithë donin të mësonin emrin e banorit të nominuar. Këtë vit, faqja e internetit do të pasurohet me më shumë video nga jeta e 14 banorëve të rinj të shtëpisë së ‘Big Brother‘".
Burimi Informativ: SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!