Zhani Ciko, dirigjenti që rrëfen dashurinë për muzikën

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Nga pasioni në fëmijëri deri te Teatri i Operës dhe Baletit

Ishte viti 1946. Në Shqipërinë e pasluftës, kur kultura dhe institucionet që duhetta prodhonin thuajse nuk ekzistonin, përpara pasqyrës së gardërobës, një burrë qëronte zërin për të kënduar arie. Ndërsa në shtëpinë e gjyshes, në një dhomë gjysmë të errët, shihte të studionte violinë me një përqendrim të jashtëzakonshëm dajën e tij, Nikolla Xoraqi. Nuk është një rrëfim nostalgjik. I përket kujtimit të një njeriu, asokohe në vitet e para të fëmijërisë, që tingujt operistikë do ta ndiqnin gjithë jetën. Sot, ai është artist, por edhe drejtues. Zhani Cikos i vjen në mend ky detaj, në zyrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, aty ku është gati të bëhet bilanci artistik i mbylljes së një sezoni. Rikthimi në fëmijërinë e tij, aty ku nisi mbrujtja me muzikë, nuk është një udhëtim i shpeshtë për të. Gjithnjë me një qëndrim serioz, apo që ne na pëlqen ta quajmë diplomatik, e ka shumë më të lehtë të flasë për kalendarin e shfaqjeve, për titujt sfidues që përzgjidhen për t‘u vënë në skenë, për mënyrën e organizimit të një sezoni artistik, për artistët e ftuar, për problemet e vënies së një shfaqjeje, për detaje që duhen plotësuar... Që prej vitit 2005, Zhani Ciko është në krye të Teatrit të Operës. Një punë administrative, për të cilën ai thotë se i erdhi më shumë si një koincidencë e jetës. "Unë e kam filluar punën time në Teatrin e Operës pas përfundimit të studimeve. Fillimisht, në orkestër si koncertmaestër për disa vite, më pas si udhëheqës artistik. Në fillim të viteve ‘70, atëherë kur të gjithë menduam se po pranohej një vizion i hapur pas gjithë atyre viteve ngurtësim, të gjitha ngjarjet që rrodhën pas vitit ‘73 deri te Pleniumi IV, treguan se ishim ushqyer me një iluzion. Si shumë të tjerë, pësova një goditje që më shmangu nga muzika për një kohë të gjatë. Në 30-vjetorin e këtij përjetimi, kur kisha gjetur rrugën time në Radiotelevizion si drejtor artistik i festivaleve, koncertet simfonike, etj., m‘u propozua të rikthehem. Opera kishte qenë një institucion dhe një gjini shumë e afërt për mua, me lidhjet tradicionale të familjes sime, por edhe ndjesitë e mia, të një artisti të ri, por hezitova. Ngurroja kur mendoja nëse do të mund të realizoja diçka. Në fund, pranova të provoj me ndërgjegjen e pastër se, nëse nuk do të arrija të bëja diçka, me ndershmëri do të kisha thënë se deri këtu është aftësia ime për të qenë në këtë institucion", shprehet Ciko. Këto ditë nuk janë shumë të zhurmshme në Teatrin e Operës. Nuk dëgjohen nëpër shkallë zëra tenorësh apo baritonësh të mbërthyer nga ethet e ndonjë premiere të madhe. Ka mbetur vetëm një mbrëmje gala që do të mbyllë sezonin artistik. Gjatë verës, edhe ky institucion arti do të bjerë në heshtje, për t‘iu rikthyer aktivitetit në shtator. Ciko e quan këtë një sezon sfidues për pikësynimet e institucionit, por edhe për artistët që gjatë këtyre muajve janë bërë protagonistë të ngjarjeve të përjetësuara shekuj më parë nga kompozitorë me emër. "Është një vit që na çon në kufijtë e realizimit të konceptit për vënien në lëvizje të këtij institucioni të madh që është Teatri i Operës dhe Baletit. Ky vit filloi me 55-vjetorin e TOB-it, një jubile i ndërmjetëm që nuk kaloi pa u kujtuar, vijoi me katër premiera nga shtatori në dhjetor si ‘Carmina Burana‘, ‘Lucia di Lamermur‘, Triptiku i Puçinit deri te ‘Kopelja‘. Ishte një sfidë që e riktheu ritmin e institucionit pas një periudhe të vogël hamendjesh të nxitura artificialisht. Kështu, kalendari vazhdoi deri në këto ditë ku mbetet vetëm akti final i mbylljes së një sezoni me një gala, organizuar në bashkëpunim me Teatrin e Vjenës, që synon prezantimin e talenteve të reja në fushën e operës, zërat e mëdhenj të së nesërmes, me këngëtarët më të mirë të Europës Qendrore dhe Juglindore", tregon Ciko. Në vazhdimësi të titujve të ngjitur në skenë përmend operën "Norma", baleti "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", operën "Andrea Chenier", vepra e Hajdenit "Krijimi i botës", opera "Falstaff", baleti "Rajmonda dhe Spartaku", pa përfshirë koncerte të tjera të realizuara gjatë vitit. Duke iu referuar edhe shfaqjeve që priten të vihen në shtator-dhjetor 2009, Ciko e konsideron si kalendarin e sfidave të operës. "Të flasësh për realizime dhe për tituj të tillë, tregon hapin me të cilin ecet, por në asnjë mënyrë kjo nuk i zbeh problemet që sjell çdo interpretim në skenë, çdo realizim i një vepre, çdo koordinim i kësaj ndërmarrjeje të madhe ndërartistike me artin vokal, muzikor, instrumental, me artin pamor deri te detaje të vogla. Pastaj vjen pritja që i bën publiku një realizimi, kritikat që vijnë pas tyre, që ndonëse askush nuk i pëlqen, na ndihmojnë të kuptojmë se si mund të bëhet më mirë puna", shprehet Ciko. Si është dita e drejtorit të institucionit të vetëm operistik? "Nis dhe mbaron në këtë godinë", thotë Ciko, i cili me humor kujton se vite më parë, kur ishte i ftuar për një koncert në Rumani, kishte pyetur se si mundet që Opera e këtij vendi të arrijë nivelin e lartë profesional? "Që në ditën që ka ardhur, drejtori ka marrë një krevat me vete në zyrë", kishte qenë përgjigjja. Për të, Opera është një botë e tërë dramash, lotësh, shpeshherë dhe me nota komizmi. Të gjitha këto ndodhin në prapaskenë. "Është shumë komplekse. Ka gjithnjë artistë që përgatiten, që vuajnë, njëri do të këndojë premierën, tjetri është i pakënaqur, tjetri shkon mirë me regjisorin, tjetri ka probleme me dirigjentin... Duhet të përgjigjesh jo për individë, por për kolektiva të tëra", vazhdon rrëfimin drejtori. Sigurisht që posti i drejtorit e ka larguar paksa nga skena dhe nga roli i dirigjentit. Gjithsesi, për të "ka rëndësi tërësia e realizimit të një vepre, jo faktit që i binden shkopit tim. Kur realizohet një vepër, unë konsumoj diçka nga kënaqësia ime". Nëse pozicioni i drejtorit erdhi pas viteve përvojë, a do të kishte bërë ai diçka tjetër në jetë? "Ka gjithmonë një moment kur njeriu mërzitet dhe mendon që do ta lërë këtë rrugë për të bërë diçka tjetër. Asnjëherë nuk e kam gjetur se cila do të ishte rruga tjetër e imja, pavarësisht nga prirjet. Më pëlqente letërsia, vizatimi, piktura, ndërsa hobi im që në moshë të vogël ka qenë turizmi". Është i vetëdijshëm se çdo post drejtuesi nuk është i përhershëm. Teksa biseda të çon në këtë argument, Ciko shprehet se "kam ndërtuar shkollën time të drejtimit të këtij institucioni që më duket se nuk mund të cenohet nga konceptet administrative sa kohë që funksionon. Sigurisht që ka edhe një kohë biologjike apo rrethana të tjera. Unë jam i kënaqur që deri më sot kam realizuar disa synime, ndonëse mbeten ende disa sfida profesionale për t‘u përmbushur. "Detyra ime si muzikant qëndron në formimin dhe stimulimin e elementit të ri që jeta e institucioneve të vazhdojë në mënyrë të natyrshme. Kjo përbën sfidë për këdo që është idealist në kryerjen e punëve në institucionet shtetërore".

Burimi informativ / SHQIP

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Komente (0 postuar):

Shkruani nje koment comment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0
© 2002 - Fieri.com - Portali Fierak Online. Te gjitha te drejtat e rezervuara - All rights reserved.