Blerim Destani: Më ka shijuar shumë puthja e parë

Font size: Decrease font Enlarge font
image

 

Blerim Destani është një nga të paktët personazhe VIP që gjithmonë më ka lënë përshtypje. Ndonëse, tanimë është kthyer në një personazh të njohur për kinematografinë botërore, e pavarësisht faktit që ka pasur gjithnjë shumë para, Blerimi s’më ka lënë kurrë shteg për të menduar se është një mendjemadh. Përkundrazi, ai nuk ka qenë i tillë, as herën e parë kur e kam takuar dhe më së paku tani…

Ai vazhdon të qëndrojë i njëjti, është i thjesht, i hapur dhe shumë i lirshëm në komunikim. Intervistën këtë herë e kemi realizuar përmes email-it, ndonëse u takuam gjatë kohës që ai ishte prezent në Tiranë. Në intervistën e sotme ai do të rrëfejë shumë për veten e tij, që nga angazhimet e tanishme, tek vajzat shqiptare, prej të cilave dëshiron të zgjedhë edhe femrën e jetës. Jeta e tij është e zhvendosur në shumë destinacione, por ama ai kurrë nuk i harron shqiptarët… ‘Njeriu jeton atje ku edhe punon. Puna ime është e tillë që kërkon vazhdimisht lëvizje dhe udhëtime të shumta. Por, Tetova, Prishtina dhe Tirana janë vendet ku me shumë dëshirë shkoj pasi atje kam shumë miq, që në disa raste më mungojnë”, – tregon Blerimi i cili na zbulon edhe vendbanimet e tij… “Unë kam shtëpi në Dyseldorf, Tetovë dhe L.A., por mund të them se jetoj edhe në Tiranë e Prishtinë, pasi këto vende i ndiej si vende të mia’, – tregon aktori bukurosh. E ndërsa, aktualisht është i zënë me shumë punë, koha në të cilën do të na ndodhë sërish ta takojmë në rrugët e Tiranës duket pak e largët, por deri atëherë ju keni do të keni për çfarë të mendoni… Sidomos për ju vajzat e kam këtë thirrje, lexoni intervistën se ku i dihet, mund të jeni edhe ju fatlumja.

Blerim përshëndetje! Do doja ta nisnim këtë intervistë më fëmijërinë tuaj, si e kujtoni atë?
Fëmijëria më kujtohet me shumë ngjyra dhe detaje. Është koha ku janë ngjizur të gjitha përjetimet e para emocionale dhe i kujtoj me shumë dashuri.

Keni qenë një fëmijë i llastuar?
Nuk mund të thuhet ashtu, por kam qenë fëmijë që nuk u është përmbajtur shumë rendit dhe rregullave.

Kush ua ka vendosur emrin dhe ç’domethënie ka ai?
Babai. Kam lindur një muaj pas demonstratave studentore në Prishtinë dhe babai dëshironte një pranverë me blerim për Kosovën.

Keni motër ose vëlla?
Kam dy vëllezër.

Ç’marrëdhënie keni me ta?
Thonë që vëllezërit nuk mund t’i zgjedhësh, por nëse do të më jepej mundësia ta bëja një gjë të tillë, nuk do mund t’i zgjidhja ashtu siç janë dy vëllezërit e mi. Përtej perfeksionit.

Të flasim pak për shoqëritë tuaja të fëmijërisë, vijoni t’i ruani ende?
Shoqëritë e fëmijërisë mundohem t’i ruaj maksimalisht edhe pse nuk kam shumë kohë për ta. Por gjithsesi, në rastet që më jepet të jem diku afër shfrytëzoj çdo moment për t’i vizituar.

Keni qenë një fëmijë mistrec, apo i urtë?
Mund të them se kam qenë një mistrec i urtë.

Po në shkollë keni mësuar? Çfarë notash merrnit zakonisht?
Në jetë kam ndërruar disa herë shkollën, por jo për shkak të notave, ato kanë qenë përherë të mira, por për shkak të obligimeve të punës që kishte babai.

Pas shkollës fillore, vjen periudha e gjimnazit kur dhe fillojnë simpatitë e para, kur e keni propozuar për herë të parë një vajzë?
Ato punë (propozimet e para) unë veç i kisha kryer që në shkollën fillore.

Cila ka qenë përgjigja e saj?
Kërkoi kohë të mendohet nja… dy orë dhe përgjigjja ishte pozitive.

Po puthjen e parë kur e keni dhënë?
Puthjen e parë nuk e kam dhënë, por ma kanë marrë. Ma mori ajo goca që u mendua nja… dy orë.

Të flasim tani pak për karrierën tuaj, si i kujtoni fillimet e saj?
I kujtoj fillimet me shumë emocion pasi ishte fjala për një vendim, që kisha marrë që aktrimi të ishte profesioni i jetës sime. Dhe çdo gjë bëja me shumë pasion edhe pse nuk i kisha njohurit e nevojshme të teknikës së xhirimit.

Sa e vështirë është për një aktor të ecë përpara?
Është e vështirë pasi është një punë që kërkon përkushtim dhe vendosmëri. Në disa çaste vendimtare duhet të merren vendimet e duhura. Unë jam i lumtur që hapat e para i kisha të sigurt dhe tani kam edhe përvojën pas meje dhe mund të them se e kam më lehtë.

A ka ndikuar babai juaj që ju të ishit këtu ku jeni sot?
Patjetër, prej tij e kam trashëguar pasionin për kinematografinë. Dhe kuptohet përkrahja e familjes ka qenë vendimtare.

Po fakti që jeni djalë king mendoni se ju ka ndihmuar?
Ndoshta, po.

Aktrimin e mendoni si profesionin tuaj të përjetshëm, apo në të ardhmen do t’i përkushtoheni biznesit?
Në përgjithësi kinematografinë e kam pasion, tani për tani aktrimi para kamerës) më përmbush plotësisht, në të ardhmen edhe mund të provojë të gjendem edhe pas kamerës. Pra, më intereson filmi si krijimtari.

Meqë jemi tek biznesi di që keni ngritur një firmë xhinsesh. Si lindi ideja për të dhe si po ecën?
Ideja ishte që edhe ne shqiptarët të kemi një prodhim, që mund të jetë pjesë e tregut ndërkombëtar. Jam i kënaqur se si po ecën puna dhe në një të ardhme të afërt do të ketë edhe risi tjera.

Kur do ta sillnin filialin edhe në Shqipëri?
Në një të ardhme të afërt.

Rikthehemi tek aktrimi dhe flasim për angazhimin tuaj aktual me çfarë po merreni?
Momentalisht jam në Holandë ku po xhiroj, jam i angazhuar në filmin “Gone back” të regjisorit të ri dhe të talentuar Ernest Meholli. I gjithë filmi xhirohet në gjuhën angleze ku luaj së bashku me kolegët shqiptar Astrit Alihajdaraj dhe Refet Abazi.

Cili është pikësynimi i radhës?
Në fillim të muajit korrik, do të jem në Vjenë ku do filloj xhirimet në një film gjermano-austriak. Ndërsa kam edhe disa ftesa për takim në L.A.

Në kaq vite karrierë, cilin do të konsideronit si rolin më fatsjellës, rolin që ju e doni më shumë?
E kam thënë disa herë që roli i Shestanit në “Koha e kometës” më hapi shumë dyer në kinemanë ndërkombëtare.

E cekëm pak në fillim, por do dëshiroja që tani të përqendroheshim më shumë. Aktualisht ka një femër në jetën tuaj?
Më ka shijuar shumë kur ajo goca ma mori puthjen e parë dhe tani po pres që ndonjëra të ma marrë edhe zemrën.

Ju ndodh që të frekuentoheni me femra vetëm, për një natë dhe më pas t’i harroni?
Jeta është shumë dinamike.

Keni pasur ndonjëherë lidhje me fytyra të njohura publike? Nëse po mund të na përmendni emra?
Ka pasur disa ngacmime mediatike dhe thashetheme, të cilat unë asnjëherë nuk i kam komentuar. Në parim nuk i komentoj lajmet e tilla. Kur të ketë diçka për të shpallur atë do e bëj unë vet.

Kohët e fundit jeni përfolur për 2 lidhje në Shqipëri, 1 me prezantuesen Albana Osmani dhe 1 me supermodelen Anxhela Martinin, sa të vërteta janë?
Edhe ju e thoni se këto lidhje janë përfolur. Mbeten në parimin tim që mos i komentoj ato që përfolën. Kur të ketë diçka unë do e shpalli vet.

A mund të na e përshkruani pak femrën tuaj ideale?
Është shumë e vështirë ta përshkruaj pasi ajo duhet të jetë fare e rëndomtë, me një pasuri të thellë shpirtërore.

Më e rëndësishme për ju është të jetë e zgjuar apo e bukur një femër?
Kur bukuria është në harmoni të plotë me fisnikërinë shpirtërore, atëherë mund të themi se afrohemi tek ajo që …

Zakonisht jeni xheloz në një lidhje?
Xhelozia është armikja kryesore e dashurisë dhe e dëmton rëndë një lidhje. Nuk jam fare xheloz pasi në lidhje jap maksimalisht, por edhe kërkoj që të më kthehet me të njëjtën masë.

Ka pasur ndonjëherë raste kur ju ka propozuar një femër?
Po.

Cila ka qenë përgjigja juaj?
E kam respektuar dhe ia kam bërë më dije se nuk mund ta dashuroj.

E keni imagjinuar ndonjëherë veten baba, sa fëmijë ëndërroni të keni?
Patjetër. Dua të kem shumë fëmijë.

Kur mendoni se është mosha ideale, për t’u martuar një mashkull?
Nuk mund të caktohet mosha, dashuria thjesht ndodh dhe kur ajo ndodh, atëherë vijnë me radhë të gjitha gjërat.

Gruan dëshironi ta keni shqiptare, apo edhe të huaj mirë është?
Shqiptare.

Sa shpesh vini në Shqipëri?
Vij shpesh, zakonisht me punë. Edhe pse do dëshiroja që të vija më shpesh edhe kur kam kohë të lirë.

Na tregoni pak për marrëdhëniet që ke me familjarët? Kujt ia dëgjoni fjalën më shumë?
Marrëdhëniet familjare i kam të mrekullueshme ku fjala e babait dhe nënës e ka peshën më të rëndë.

Kush është kritiku juaj më i madh?
Kuptohet. Babai dhe nëna.

A ju ka ndodhur ndonjëherë të gatuani, nëse po cila është pjata që gatuani më mirë?
Nuk më ndodh shpesh, pasi nuk e di mirë atë zanat, por ama, di shumë mirë të shijoj. Një fjalë e vjetër thotë: nuk është e thënë që të jesh këpucëtar, që të dish se cilat janë këpucë të mira.

Me çfarë pëlqeni të merreni në kohën e lirë?
Një pjesë të kohës së lirë e kaloj në palestër pasi ushtrimet janë tashmë pjesë e përgatitjes fizike për çdo projekt të radhës. Ndërsa, kur kam kohë të lirë atë e kaloj me miq.

Rrethin shoqëror e keni të zgjeruar?
Shumë.

Me kë i ndani sekretet?
Janë disa persona në rrethin shoqëror.

Ka një model në jetën tuaj, të cilit kërkoni t’i ngjani?
Jo, nuk parapëlqej që të kopjoj modele.

Të flasim pak për pasurinë tuaj. Sa i pasur është Blerim Destani? Sa shtëpi dhe makina keni në pronësi?
Jam i pasur për aq sa kam nevojë. Kam shtëpi që i thonë kulm mbi kokë dhe kam makina për aq sa kam nevojë për të shkuar atje ku duhet të shkojë.

Po biznese?
Jam i lumtur që pasioni im, aktrimi është profesioni im i jetës dhe që ai profesion është edhe biznesi im.
Burimi Informativ: Gazeta Shqiptare
Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0