Do kem botën në duart e mia ose nuk do resht së provuari!

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Këto javë Bleona ka qenë një personazh shumë i lakuar në shtypin shqiptar (për disa deklarata të keqkuptuar nga mediet rozë), por këngëtarja me performanca elektrizuese premton se do të jetë më e përfolur se kaq, sapo të lançojë albumin e saj të radhës, për të cilin po punon me disa nga emrat më të njohur në botë, mes së cilëve Timbaland. “Do të jem e lumtur vetëm kur të dëgjoj veten në radio. Është koha që unë të jem njëlloj si personazhet e famshëm të cilët kam takuar, sepse asgjë nuk është e pamundur pa punë. Por natyrisht fama dhe suksesi nuk arrihen lehtë. Unë kam sakrifikuar çdo gjë për të realizuar ëndrrën time dhe them një shprehje: ose do kem botën në duart e mia ose nuk do rresht së provuari deri në frymën e fundit!”, - thotë për “Standard” këngëtarja seksi, e cila pas disa muajsh do të hedhë në treg albumin e saj, i cili do të përmbajë edhe një këngë me motive shqiptare. Ajo nuk lë pa sqaruar deklaratat “alla amerikane” që shpejt gazetat i lidhën me patriotizmin, por që sipas saj gjithçka është keqkuptuar ose është fryrë me qëllim nga persona që duan të hedhin poshtë punën dhe përpjekjet e saj në SHBA.

 Sa për patriotizmin, i ka “treguar vendin” aktores Eliza Dushku, e cila sipas Bleonës, nuk e di se ç’do të thotë të kalosh një adoleshencë në Shqipërinë në tranzicion, pa ujë, dita, rrugë etj. Për të gjithë ata që janë të interesuar për jetën personale të Bleona Qerretit, 30-vjeçarja tregon se jeta e saj martesore po shkon si më parë, ndërsa nuk harroi të vinte pikat mbi “i”, kur thotë se për albumin e saj nuk ka hapur portofolin i shoqi, sikurse thuhet lart e poshtë!

Bleona, u bë kohë që jeton në Beverly Hills, në një nga zonat më të shtrenjta të botës. Si është një ditë e zakonshme për ty, aty ku jetojnë personazhet VIP të Hollywood-it?

Eh, duket shumë bukur kur e sheh nga ana tjetër e globit, por ja që gjërat nuk janë gjithmonë siç duken. Jeta ime këtu është punë, punë, punë. Të gjithë këtu bëjnë të njëjtën jetë, mos mendoni se bëjnë qejf e dalin nëpër pub-e. Nëse nuk jam në palestër, unë do jem në yoga, në kanto, në studio apo në ndonjë takim pune. Natyrisht marr pjesë edhe nëpër evente të mëdha. Zgjohem rreth orës 11:00 paradite, dal për vrap pesë milje ose takoj trajnerin tim personal, Gunnar Peterson, për dy orë, në drekë kam takim pune dhe zakonisht unë shkoj në restorant ku ushqimin e marr me vete. Pas drekës takohem me profesorin e kantos, William Riley, për një orë e më pas shkoj në yoga rreth orës 4:30, dhe në orën 7:00 shkoj në studio... deri në orën një ose dy të mbrëmjes. Në mbrëmje vonë, flas me familjen në Skype. Kjo është jeta që bëj unë. Pavarësisht se kam këtë ngarkesë pune, jam shumë e lumtur, sepse e kam zgjedhur me dëshirë këtë mënyrë jetese.

Nuk lodhesh ndonjëherë aq shumë sa të thuash “stop” me gjithë këto përpjekje?

Shikoni, pa përpjekje nuk ka sukses. Unë do jem e lumtur vetëm kur të dëgjoj veten në radio. Është koha që unë të jem njëlloj si personazhet e famshëm të cilët kam takuar, sepse asgjë nuk është e pamundur pa punë. Por natyrisht fama dhe suksesi nuk arrihen lehtë. Unë kam sakrifikuar çdo gjë për të realizuar ëndrrën time dhe them një shprehje: ose do kem botën në duart e mia, ose nuk do rresht së provuari deri në frymën e fundit!

Bleona, nuk mund të mos ndalemi te intervista që keni dhënë ju në një TV amerikan, ku keni deklaruar se “jeni amerikane”. Pavarësisht se keni thënë se ishit konsultuar nga kompania juaj që të deklaronit “pasaportën amerikane”, a mund të na sqaroni edhe njëherë qëndrimin tuaj?

Po e them për të disatën herë që ky ka qenë një keqkuptim i madh. Dua të sqaroj se me fjalët e mia është spekuluar jashtëzakonisht shumë, ndoshta nga persona me qëllim të caktuar. Kanë luajtur me pikën më të dobët të shqiptarëve, siç është patriotizmi. Kjo është bërë ndoshta thjesht për të shitur gazetat, por ama duke hedhur poshtë e përbaltur punën time. Unë jam shumë krenare që jam shqiptare, nuk kam absolutisht arsye të mohoj origjinën time dhe ashtu sikurse e kam shprehur, po pres momentin e duhur për një intervistë ekskluzive në një TV prestigjioz, ku do të flas më gjerësisht për jetën time. Ajo intervistë që keni parë ju, ishte fokusuar më tepër në faktin që unë kisha marrë pasaportën amerikane, por nuk mund të ngatërrosh pasaportën me kombësinë.

Për albumin tënd të radhës po punon me një nga emrat më të famshëm në Amerikë, sikurse është Timbaland. Si ndihesh për këtë arritje dhe për të tjerat që të presin përpara?

I keni parasysh pilotët e garave të Formulës 1? Ashtu ndihem edhe unë, po pres momentin të nisem me gjithë fuqinë time. Suksesi pastaj varet se sa i mirë je.

Në ç’fazë të punës për realizimin e albumit je aktualisht?

Sapo kam përfunduar 12 këngë dhe kam edhe 6 të tjera për të realizuar. Por, nga 18 këngë do të zgjidhen vetëm 8 ose 10 këngë.

A do të lançosh edhe këngë me videoklip?

Sigurisht që po, të paktën dy të tilla. Sigurisht që këngët të gjitha do dalin në momentin që albumi do të jetë në treg.

Është e vështirë që një shqiptar të “çajë” në Amerikë?

Veçantia e Shteteve të Bashkuara qëndron pikërisht në faktin që këtu kushdo mund të bëhet i famshëm, nëse ka talent. Aq më tepër mesdhetarët, që janë raca dhe vendi më i bukur në botë!

Së fundmi po përflitet shumë se ke debatuar online me aktoren me origjinë shqiptare Eliza Dushku, në lidhje me patriotizmin. Si lindën këto fërkime?

Sa i takon Eliza Dushkut, ajo në mënyrë “amerikane” - përmes metodave të PR (zëdhënësve të saj), po shfrytëzon në interes të publicitetit të saj kartën e patriotizmit. Unë jam e kënaqur që Eliza Dushku, sikurse të gjithë ne, është krenare që është shqiptare, por me një tatuazh në krah, nuk mund të bëhesh më shqiptar se shqiptarët që kanë lindur e janë rritur këtu, duke vuajtur mungesën e të ardhurave, ujit, dritave, rrugëve etj. Ajo nuk ka kurrfarë ngjashmërie me të kaluarën tonë, me adoleshencën që ka kaluar brezi im. Për më tepër, unë nuk e kam mohuar asnjëherë origjinën time, por askush nuk mund të luajë me thashetheme të tilla! Pastaj, jo më kot në Amerikë më cilësojnë “The singer from Albania”, pra, “Këngëtarja nga Shqipëria”.

E vërtetë është që ke thënë se je më e bukura në Hollywood?

Këto janë pallavra të internetit, duhet të kuptoni që bukuria nuk ka lidhje fare në këtë mes, sepse bukuria e vërtetë vjen nga brenda dhe jo nga jashtë! Unë nuk po konkurroj për “Miss Universe”, por po konkurroj si këngëtare në një qytet që ka një konkurrencë të jashtëzakonshme talenti dhe vetëm një zemër me një pasion të çmendur dhe një kokë shqiptari mund të depërtojë në konkurrencën e jashtëzakonshme që ekziston në këtë qytet.

Kur do vish në Shqipëri dhe ku do t’i kalosh pushimet - apo këtë vit nuk ka pushime, vetëm punë?

Udhëtimi i parë që do të bëj në momentin që do të finalizojë diçka është Kosova dhe Shqipëria. Siç e thatë edhe ju, më ka marrë malli për byrek, kos, kafe dhe dashuri të sinqertë. Për momentin ka vetëm punë.

Çfarë do t’u thuash fansave dhe atyre që të kanë keqkuptuar gjatë kësaj kohe?

Do të doja t’u thosha që asnjëherë mua nuk do më shihni si një mendjemadhe që nuk do t’u kushtojë vëmendje. Unë jam kjo që jam, nuk kam ndryshuar. Kam qenë gjithmonë shumë e vërtetë me ju dhe shumë personale në marrëdhënien me ju dhe gjithmonë do të mbetem e tillë pa marrë parasysh sa i madh apo i vogël do të jetë emri im në botë. Gjithmonë do të mbetem Bleona që ju të gjithë keni njohur prej kohësh.

Së fundmi, duam të na shuash një kuriozitet. Si po ecën jeta martesore, sepse ka pasur jo pak thashetheme edhe në këtë drejtim. Sa po të ndihmon Gani për të realizuar ambiciet personale?

Martesa ime po ecën si zakonisht, përpiqemi të takohemi me njëri-tjetrin sa më shpejt të jetë e mundur. Gani më ka ndihmuar shumë moralisht dhe është një nga personat më të dashur në jetën time. Po ashtu, edhe familja e tij, të cilët më kanë mbështetur vazhdimisht.

Ai po ta realizon albumin, me paratë e tij?

Gani nuk ka lidhje fare me financat e albumit.
Burimi Informativ: Bluetooth
Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0