Lindita Theodhori: E refuzova për disa muaj tim shoq, ndërkohë që shoqet e mia e adhuronin

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Një intervistë ndryshe, me një zonjë të fisme, të bukur e të dashur për publikun shqiptar. Një intervistë me ikonën e muzikës së lehtë në Shqipëri, zonjën Lindita Theodhori... Ora biologjike për të duket se ka vite që nuk ecën, ndaj dhe ajo vjen përherë kaq e freskët në sytë e audiencës. Erdhi e tillë edhe pak ditë më parë, ku ngriti peshë publikun prej më shumë se 20 mijë vetësh në qytetin e Korçës, qytet ky i cili mbart kujtime shumë të bukura nga jeta e artistes. Në rrëfimin e sotëm, Lindita Theodhori ndan me lexuesit e "Gazetës Shqiptare" detaje të pazbuluara më parë nga jeta e saj artistike dhe private...Që nga peripecitë që kaloi në fillim të karrierës, sukseset që në moshë të re, njohja me bashkëshortin ideal, dasma në Korçë, krijimi i familjes e deri tek pushimet e këtij viti me nuset e djemve. Vetëm ato, të tria bashkë, për një verë krejt ndryshe nga të tjerat...

Zonja Theodhori, do ta nisim këtë intervistë me fëmijërinë tuaj, si e kujtoni ju atë?
Fëmijërinë e ruaj në kujtesën time si një nga periudhat më të bukura që kam kaluar në jetë. Një fëmijëri e kaluar në qytetin që më lindi e më rriti, në Fier. Qysh e vogël kam spikatur si talent, kam qenë e angazhuar me muzikë, balet, kam marrë pjesë në festivalet e pionierëve.

E mbani mend herën e parë kur jeni ngjitur në skenë?
Në mos gaboj, kam qenë 6 vjeçe kur jam ngjitur për herë të parë në skenë. Nuk më kujtohen fort mirë emocionet që kam përjetuar, apo edhe kënga që kam kënduar, megjithatë më vijnë në mendje duartrokitjet e forta që kam marrë. Mbaj mend që paralelisht me muzikën, unë ushtrohesha edhe në gjimnastikë, kam qenë gjimnaste deri në klasën e tetë të shkollës fillore. Merrja pjesë në kompeticione të rëndësishme në rang vendi sa i përket gjimnastikës, madje më kujtohet që njerëz të afërt të familjes thoshin për mua, që më mirë të kisha vazhduar fizkulturën, pa e ditur dashurinë e madhe që kisha unë për këngën.

Por ju vazhduat muzikën, apo jo?
Po, është e vërtetë, unë këmbëngula që të vazhdoja shkollën për muzikë, ndonëse si fillim bëra një vit gjimnaz në Fier...Kjo për arsye se prindërit e mi ishin ende të dyzuar, kishin merak të më linin vetëm në kryeqytet. Por megjithatë, edhe ata u bindën kur panë që unë fillova të kisha sukses në aktivitetet e realizuara nga rrethet artistike.

Kështu, pas një viti gjimnaz ju erdhët në Tiranë. Si ishte përballja me këtë realitet?
Vitet e shkollës së mesme do t'i cilësoja të çuditshme. Përballja me Tiranën nuk ishte fort e bukur, pasi unë kisha pasur gjithmonë mbështetjen e prindërve, kujdesin dhe ngrohtësinë e tyre deri në atë moment, ndërkohë që krejt papritur u gjenda e vetme në kryeqytetin e Shqipërisë, ku hasa shumë ndryshime, pavarësisht gjithë gjallërisë që kishte Fieri si qytet. Në konvikt nuk gatuhej mirë, ndërkohë që edhe kushtet në dhomë nuk ishin fort të mira, nuk njihja asnjë dhe unë si natyrë nuk futem shpejt në shoqëri, jam përgjithësisht e ftohtë. Me pak fjalë, m'u deshën disa ditë që të ambientohesha me këto ndryshime. Në Lice zgjodha të vazhdoja për teoritikë, kjo sepse nuk kishte një zhanër që t'i dedikohej muzikës së lehtë dhe mua, kantoja nuk më përshtatej. Kështu, si nxënëse e Liceut fillova të angazhohesha në të gjitha aktivitetet që organizonte shkolla, dhe në fillim të vitit të dytë u shpalla fituese e çmimit të parë në Festivalin e 2-të të Liceut. Prej aty më thirrën më pas në Estradën e shtetit, ku bënin pjesë emra të mëdhenj të muzikës, si Vaçja e shumë të tjerë. U hap një rrugë e re për mua, e cila më ngrohu dhe më dha siguri për të vazhduar më tej. Dëshiroj të kujtoj këtu që kënga fituese në këtë konkurs të Liceut mori një bujë të madhe, pasi transmetohej përpara çdo filmi në kinema. Ishte një dokumentar i shkurtër për këtë festival, në qendër të të cilit qëndronte kënga fituese, ai që më dha famë gjerësisht në Tiranë. Pas këtij konkursi mora pjesë në anketat muzikore që realizoheshin në atë kohë, ku u vlerësova gjithashtu me çmim të parë, pavarësisht se ajo këngë nuk u transmetua më vonë, për shkak të poezisë moderne që kishte...

Mund të na kujtoni disa vargje?
Dje më tha të dua/dhe në buzë më puthi/oh, oh s'e dija/që puthja ishte kaq e bukur...Këto janë disa nga vargjet e këngës, e cila ndonëse u vlerësua me çmim të parë, nuk u transmetua më.

Më tej si rrodhën gjërat për ju?
Më tej mora pjesë në Festivalin e Ushtarit, ku u vlerësova me çmimin e dytë, ndërkohë që konkurrova gjithashtu në Festivalin e 11-të Kombëtar, ku më dhanë sërish çmimin e dytë. Ndonëse kënga ime u cilësua si më e mira, ajo nuk u transmetua më, për shkak të arsyeve që njihen tanimë. Festivali i 11-të ishte një sipërmarrje e shtresave më të larta të shoqërisë, të cilat kërkonin të bënin revolucion, të përmbysnin sistemin dhe duke e ditur fare mirë që kjo arrihej përmes artit dhe kulturës, përdorën këtë skenë për të vënë në jetë qëllimin e tyre. Festivali i 11-të nuk ishte një revoltë e artistëve, por një përpjekje e intelektualëve për të rrëzuar regjimin.

Ju u prekët nga internimet në këtë kohë?
Jo, unë nuk u cenova në këtë pjesë.

Më pas morët pjesë sërish në festival?
Pas Festivalit të 11-të, mora pjesë edhe në edicionin që pasoi, por gjithsesi gjërat nuk ishin si më parë, situata politike ishte ende e trazuar.

Deri kur keni jetuar në Tiranë?
Kam qëndruar në Tiranë derisa mbarova shkollën dhe fill pas saj erdhi martesa ime në Korçë. U bëra grua, jeta ime mori një tjetër kuptim. Në Korçë, përveçse u angazhova me Estradën e qytetit, u impenjova maksimalisht me muzikën popullore burimore korçare. Mua më pëlqente shumë ky zhanër dhe për të qenë e sinqertë konkludova me shumë sukses... Regjistrova për herë të parë këngët popullore korçare, me Josif Mingën. Ishin këngë burimore dhe mua m'u desh të transformohesha plotësisht nga këngëtare e muzikës moderne, në këngëtare të muzikës popullore. Fillimisht isha pak e trembur, por në fund ia dola jashtëzakonisht mirë, aq sa suksesin e këtyre këngëve do ta krahasoja më suksesin e këngës pjesëmarrëse në Festivalin e 11-të Kombëtar.

Pak më lart cekët martesën tuaj, si fillim ne duam të mësojmë se si e keni njohur bashkëshortin tuaj?
Bashkëshorti im, që quhet Maqo, ishte student gjatë kohës që unë ndiqja Liceun Artistik. Ishte një nga djemtë më simpatikë në atë kohë dhe të gjitha shoqet e mia të Liceut ndjenin njëfarë simpatie për të, ndërkohë që unë isha e vetmja që nuk i kushtoja vëmendje si një vajzë e suksesshme që isha atëherë. Një ditë, ai më ndaloi në rrugë dhe më kërkoi një takim, por unë i qëndrova ftohtë për shkak të popullaritetit që kisha si këngëtare, megjithatë, përpjekjet e tij për të marrë 'po'-në e një takimi më bënin të ndihesha mirë. Atë ditë biseduam 5 minuta dhe pas disa ditësh pimë një kafe. Ai vinte ndërkohë, më ndiqte në koncerte pa pushim. Kur unë mbarova "Liceun Artistik", fillova studimet e larta në Akademinë e Arteve për aktrim dhe fati e donte që ne të takoheshim sërish. Na caktuan aksionin tek Metalurgjiku, ku Maqo ishte kryeinxhinier. Ai nuk hiqte dorë nga ftesat e tij për kafe dhe unë pas 15 ditësh aksion u dorëzova. Në fillim u përpoqa të rezistoja, po pas 2 javësh vendosa ta pranoja ftesën. Më pëlqente që insistonte, kështu pas një akulloreje, dolëm për drekë, pastaj për darkë dhe në fund të muajit të aksionit ne u vetëshpallëm të fejuar. I dhamë fjalën njëri-tjetrit se asgjë nuk do të na ndante, madje caktuam edhe datën 28 nëntor si datën kur do të fejoheshim. Por diçka e dhimbshme ndodhi në jetën time, më 3 nëntor të atij viti nëna ime ndërroi jetë në moshën 45-vjeçare. Kjo ngjarje na detyroi që ta shtynim për pak ditën e ndërrimit të nishaneve dhe më 24 dhjetor, njerëzit e Maqos erdhën në shtëpinë time. U fejuam në '75-ën dhe u martuam në vitin 1977.

Si ishte dasma juaj?
Nuk ishte ashtu siç unë e doja, pasi plaga në familjen tonë ishte ende e hapur. Ishte një dasmë pa muzikë, por mbaj mend që fustani im ishte shumë i bukur, me mëngë të shkurtra, me një bisht të gjatë, në kokë kisha vënë një kurorë me gurë dhe ndërkaq velloja ishte po aq e gjatë sa bishti i fustani. Jam rregulluar vetë nuse, përpara kisha bërë një gërshet që qëndronte poshtë kurorës në formë kapeleje, si për të treguar dhimbjen që ndieja për humbjen e nënës. Të shtunën në mbrëmje e kalova me të afërmit dhe miqtë e familjes, të cilët ishin mbledhur në oborr, aty nën pemët me fruta ku ishte shtruar edhe darka. Ndërsa të nesërmen kur po dilja nuse, në portën e shtëpisë sime ishte mbledhur gjithë Fieri, siç dukej e kishin të vështirë të më përcillnin, nuk donin që të ikja prej tyre.

Si e kujtoni ndarjen me babain?
Eh, ishte një moment shumë prekës dhe emocionues. Babai më ka pasur pikë të dobët dhe pak përpara se të nisesha për në Korçë më kërkoi që të ulesha edhe një herë në prehrin e tij, ashtu siç bëja kur isha fëmijë. Filloi të më përkëdhelte dhe të derdhte lot për ikjen time. Humbja e nënës e kishte dobësuar dhe largimi im e emocionoi edhe më shumë. I dukej sikur nuk do të kthehesha më në Fier, Korça i dukej larg. Edhe tani kur e kujtoj emocionohem. Ndërkaq edhe për motrat e vëllain largimi im ka qenë njësoj i vështirë.

Por, gjithsesi ju ikët. Si ju pritën në Korçë?
Më pas mbërritja në Korçë ishte shumë e bukur, por edhe e lodhshme. Familja e Maqos donin të tregonin që më kishin marrë mua nuse dhe kemi bërë xhiro rreth e qark bulevardit të Korçës. Në shtëpinë e Maqos jam pritur me muzikë, shtëpia 2-katëshe ishte mbushur plot me njerëz, aq sa motra e tim shoqi detyrohej t'u thoshte njerëzve që ta bënin me radhë, disa të dilnin e disa të hynin. Ishte shumë emocionues i gjithë ai moment, kujtoj korçarët që këndonin e luanin këngë në kitarë. Bashkë me ta u bëra edhe unë me Maqon, unë këndoja, e ai i binte kitarës, dinte të luante shumë bukur. E tillë ka qenë dasma ime...

Më pas erdhën fëmijët...
Shumë shpejt u bëra nënë. E kisha të vështirë ta pranoja shtatzëninë si fillim, gjatë saj u dobësova, më ulej tensioni dhe e kisha të pamundur të merrja pjesë nëpër koncerte. Pavarësisht kësaj më kujtohet që në muajin e tetë të shtatzënisë me Marselin, djalin e parë, kam regjistruar këngët popullore. Kështu më 4 dhjetor 1978 erdhi Marseli, i cili na gëzoi shumë të gjithëve dhe 6 vite pas tij erdhi edhe Devisi (16 prill 1984), i vogli i shtëpisë, që solli gjithashtu hare në familjen tonë. Kam pasur shumë vështirësi në rritjen e fëmijëve pasi nuk kisha as vjehrrë e as mama për t'u kujdesur, ndaj them me krenari që kam qenë një nënë shembullore për fëmijët e mi. Kisha 4 burra për të mbajtur, 2 djemtë, tim shoq dhe babain e Maqos. Iu përkushtova maksimalisht, duke mos hequr dorë paralelisht as nga angazhimet muzikore. E kreva detyrën time me shumë dashuri deri në fund dhe sot them me bindje që ia kam dalë mbanë me sukses të plotë.

Si kanë qenë pushimet tuaja të para në çift?
Ndoshta për kohën është e vështirë të besohet, por po ju them që neve na është ndërprerë muaji i mjaltit në gjysmë për shkak të angazhimeve që kishim. Kemi kaluar vetëm 4 ditë në Pogradec dhe më pas mua më thërritën ne Korçë, ku isha e angazhuar me Estradën e qytetit, ndërsa Maqon në Gur të Kuq, ku ishte kryeinxhinier. Gjithsesi ato 4 ditë ishin shumë të bukura për ne, 4 ditë të mbushura me shumë dashuri, një dashuri që mbijeton edhe sot e kësaj dite, e paprekur, ashtu si në ditën e parë, madje edhe më e fortë.

Po pushimet tuaja të fundit si i kaluat?
Ende nuk i kam përfunduar pushimet për këtë vit. Prej 2 muajsh gjendem në Shqipëri, ku kam bërë një mini 'tour' pushimesh me nuset e djemve. Vendosëm që këtë vit të kalonim pushime vetëm ne, 3 çupkat, bashkë me njëra-tjetrën. Ndihem realisht e lumtur për zgjedhjet që kanë bërë djemtë e mi. Leonora dhe Joli janë 2 vajza të mrekullueshme korçare, të cilat më kanë zëvendësuar vajzat që doja të kisha. Kemi kaluar vërtet shumë bukur dhe ato thonë për mua se nuk e prisnin që të gjenin një mami si shoqe.

Të flasim pak tani për koncertin që keni mbajtur në Korçë me rastin e Festës së Birrës. Dimë që Korça ju ka bërë një pritje madhështore...

Është pak të thuash madhështore. Jam ndjerë me të vërtetë mbretëreshë. Në Festën e Birrës kishte mbi 30 mijë vetë të pranishëm dhe duartrokitjet e tyre më kanë bërë të ndihem si në koncertet më të mëdha në botë. Ishte një mall i ndërsjellë edhe për mua si këngëtare, por edhe për ata si publik, të cilët më mbështollën me shumë dashuri përgjatë asaj mbrëmjeje, dashuri që ma kanë dhuruar gjithnjë.

Dimë që tani do të ktheheni në Londër. Po në Shqipëri kur do të vini përsëri?
Do të kthehem për disa ditë në Londër, sepse atje kam familje, por do të vij shumë shpejt sërish në Shqipëri për të vazhduar disa plane artistike, të cilat s'i kam realizuar asnjëherë më parë.

Në përfundim të kësaj interviste, jam i bindur që të gjitha lexueset femra janë kurioze të mësojnë sekretin e rinisë që reflektoni edhe pas kaq shumë vitesh në skenë...
Së pari ju falenderoj për komplimentin. Sekreti është familja ime dhe kujdesi që unë i kushtoj vetes. Në familje janë të gjithë të përkushtuar që unë të mos shqetësohem, ata duan që mami artiste të vazhdojë të mbetet e tillë në sytë e publikut, një figurë e pëlqyer, ashtu siç ka qenë ngaherë, që pavarësisht peshës së viteve të vazhdojë të jetë gjithnjë e freskët dhe e qeshur. Përpiqen të m'i eliminojnë në maksimum situatat stresante, ndërkohë që edhe ushqimi dhe gjimnastika janë shumë të rëndësishme. Këtë të fundit nuk e kam ndërprerë asnjëherë që nga koha që isha fëmijë. Ndërsa sa i takon ushqimit, kujdesem që ai të jetë i shëndetshëm. E gjithë kjo përkujdesje është në njëfarë mënyre edhe shpërblim për fansat e mi.

 

Burimi Informativ: Balkanweb

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0